Ndërsa shumë biznese po mbyllen dhe shumë punë po kryhen nga shtëpia në mbarë botën, kërkesa për energji elektrike është zvogëluar, sidomos në pikat e nxehta të COVID-19. Kjo mund të ketë një efekt goditës për sektorin e energjisë së rinovueshme.
Kina, ku shpërtheu koronavirusi, është konsumatori më i madh në botë për energji elektrike. Prodhimi nga fabrikat është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme pasi shumë janë të pamundur për t’u rikthyer në punët e tyre në prodhim. Për shkak të zvogëlimit të përdorimit të energjisë elektrike industriale, shkurtimet në konsumin e energjisë për vitin 2020 mund të jenë ekuivalente me fuqinë e përdorur nga i gjithë Kili, sipas “Euroneës”.
Në Evropë, konsumi i energjisë elektrike gjithashtu ka rënë. Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë parë një rënie mesatare prej 10 përqind të përdorimit të energjisë, prej bareve, restoranteve, zyrave dhe fabrikave, të cilat mbeten të mbyllura, ndërkohë që masat për distancimin shoqëror vazhdojnë.
Në veçanti, burimet e energjisë elektrike të bazuara në karburant fosil janë ndikuar nga ulja e kërkesave. Qymyri, zakonisht një nga opsionet më të lira, tani është bërë karburanti më i shtrenjtë në botë përballë alternativave të lira të energjisë së pastër dhe gazit natyror, sipas “Bloomberg Green”.
A po i hapet rruga të ardhmes pa ndotje?
Burimet e rinovueshme të energjisë duket se po marrin një shtysë të papritur. Rreth 40 përqind e energjisë elektrike të prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar më 5 mars (një ditë me shumë diell) u sigurua nga fermat e erës dhe nga energjia diellore. Burimet e rinovueshme gjeneruan energji më se të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e zvogëluara të vendit.
“Në shumicën e ekonomive që kanë ndërmarrë masa të forta të kufizimit në përgjigje të koronavirusit, dhe për të cilat kemi të dhëna në dispozicion, kërkesa për energji elektrike ka rënë me rreth 15%, kryesisht si rezultat i fabrikave dhe bizneseve që ndalojnë operimet. Në këtë mënyrë, rënia e kërkesës për energji elektrike, përshpejtoi 10 vjet para nivelin e kërkesave për sisteme energjetike të rinovueshme, siç janë ato ato të erës dhe të energjisë diellore, të cilat në kushte të tjera nuk do të kishin pasur këtë përparim, përveçse pas një dekade tjetër investimesh”, shprehet Dr. Faith Birol, drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Energjisë.
Sipas tij, rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme mund t’i ndihmojë disa vende të kuptojnë se si ta menaxhojnë situatën në rastet kur bie energjia që vjen nga perëndimi i diellit ose nga një erë e fortë që po shuhet. Më parë, këto lloje burimesh të luhatshme të energjisë kanë qenë një çështje sfiduese. Menaxhimi i tyre më inteligjent duke mbyllur panelet diellore në mesditë kur ka më shumë energji elektrike se zakonisht dhe duke ngadalësuar energjinë e erës, pasi ulet kërkesa gjatë natës, janë vetëm disa opsione që sugjeron Dr. Birol.
Këto gjetje të reja gjithashtu kanë vënë në qendër të vëmendjes burimet më të besueshme dhe shpesh të lëna pas dore të energjisë së pastër, si hidrocentralet, të cilat janë thelbësore për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm të energjisë. Në situata të jashtëzakonshme si pandemia aktuale, kur një luhatje në furnizimin me energji mund të rrezikojë deri edhe jetën, kjo është veçanërisht e rëndësishme.