Ndërkombëtarët duket se do të kenë një rol shumë të rëndësishëm në luftën antikorrupsion dhe funksionimin e SPAK. Reforma në drejtësi u bë falë investimeve dhe këmbënguljes së tyre, ndërsa duket se të gjithë i kanë sytë te SPAK dhe Byrja Kombëtare e Hetimit.
Prokuroria e Posaçme në raportin vjetor për vitin që lamë pas, ka bërë me dije se ndërkombëtarët kanë nisur të sjellin dosje për çështje të caktuara. Sipas SPAK, kemi 3 dosje që kanë ardhur nga ambasada gjermane, EUROJUST dhe nga OLAF (Zyra Europiane kundër Mashtrimit).
Për dy të parat nuk jepen detaje mbi përmbajtjen e dosjes, por e sigurt është që OLAF ka dërguar për ndjekje penale zyrtarë të ndryshëm, për abuzime me fondet e BE. Pak kohë më parë u bë e ditur se përfaqësuesit e OLAF kanë shkuar në një drejtori në vend, ku kanë sekuestruar kompjutera dhe dosje, pasi kanë zbuluar se janë grabitur me miliona euro fonde të BE. Si duket dosja tashmë ka shkuar në SPAK.
Përveç dosjeve të dhëna nga ambasada gjermane, EUROJUST dhe OLAF, SPAK bën me dije se është bashkëpunuar ngushtë dhe me organet homologe në shtete të ndryshme. “Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është përgjegjës për koordinimin e punës së saj me autoritetet e zbatimit të ligjit të shteteve të tjera.
Sektori shërben si ndërlidhës me organet e huaja në shërbim të ecurisë së hetimeve apo hetimeve të përbashkëta, ekstradimeve, njohjes së vendimeve penale të huaja, marrëdhëniet me Zyrën Qendrore të Interpol-it, etj.
Gjatë vitit 2020 nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë trajtuar 69 kërkesa për ndihmë të ndërsjelltë juridike nga autoritetet gjyqësore të huaja, në bazë të konventave të Këshillit të Europës dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare ku
Republika e Shqipërisë është palë”, shprehet SPAK. Nga totali prej 69 kërkesa, gjatë periudhës 20.12.2019 deri në 31.12.2020, janë ekzekutuar gjithsej 31 kërkesa ndërsa pjesa tjetër është në fazë ekzekutimi ku për të gjitha është marrë lejimi nga Ministria e Drejtësisë dhe gjykata për ekzekutimin e këtyre letërporosive.
Krahas kërkesave për ndihmë juridike që lidhen me hetime të autoriteteve të huaja, lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme janë të nevojshme kryerja e veprimeve hetimore apo verifikimeve jashtë Shqipërisë. Për kryerjen e këtyre veprimeve janë përpiluar për vitin 2020 nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme 41 kërkesa për ndihmë të ndërsjelltë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore të huaja.
Ngritja e BKH
Një organ tjetër që po asistohet nga ndërkombëtarët është Byroja Kombëtare e Hetimit. Javën që lamë pas u përzgjodhën 28 hetuesit finalë, të cilët marrin detyrën këto ditë. Më pas ata do i nënshtrohen një procesi rigoroz trajnimi nga FBI. Ata do të udhëtojnë në Virxhinia në akademinë e FBI ku do të mësojnë teknikat e hetimit.
Nëse futemi te faqja zyrtare në internet e akademisë së FBI në Virxhinia, tregohen detaje se si bëhen trajnime të zyrtarëve të ndryshëm nga shtetet partnere, përfshirë dhe Shqipërinë.
“Temat e zgjedhura për programin e trajnimit për drejtuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit përfshijnë: tendencat e politikës, ekonomisë dhe faktorëve socialë kombëtarë e ndërkombëtarë që ndikojnë në funksionimin e policisë; etika dhe integriteti; rekrutimet në punë, ryshfeti dhe politikat promovuese; marrëdhëniet me median; marrëdhëniet e punës; financimi i operacioneve policore; trajnime për çështjet ligjore dhe ndikimi i veprimtarisë kriminale në polici”, thuhet në dokument.
Ekspertët e FBI amerikane do të synojnë t’i përgatisin hetuesit tanë të BKH që një vëmendje të veçantë t’i kushtojnë edhe korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të mësojnë sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi. Trajnime do të ketë edhe për përgjimet, por edhe për të shmangur krimin kibernetik. Për të gjitha këto, do të mbahen orë të specializuara.