Albin Kurtit nuk do t’i lejohet kandidimi për deputet të Kuvendit të Kosovës. Kështu bëjnë me dije burime brenda KGJK-së dhe KQZ-së.
Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, si pasojë e të cilave, liderit të LVV-së i është pamundësuar kandidimi në listë zgjedhore.
Bazuar në të gjeturat e KGJK-së, përveç Kurtit janë edhe 46 kandidatë të tjerë të cilët kanë probleme me ligjin.
Vendimi pritet të zyrtarizohet më së largu deri më 22 janar.
Mirëpo Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar, pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dorëzuar KQZ-së listën e kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin dhe nuk mund të kandidojnë në zgjedhje.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto janë “përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”.
“Albini, gëzon mbështetje shumë të madhe qytetare dhe kjo mbështetje është e pakontestuar prandaj qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar për tendencat e qëllimshme për largimin nga lista të Albinit! Në shtetin e kapur, kështu ndodhë! Këto janë përpjekjet dhe shkelmat e fundit të atyre që e kapën shtetin dhe atyre që i shërbyen shtetit të kapur”, shkruan Haxhiu.