Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH për Shqipërinë.
Në një postim në ‘Twitter’, Ambasada thotë se SHBA “mbështet me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar & krimit të organizuar, & forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”.
Në reagimin e saj thumbohet edhe Sali Berisha, i cili sërish, siç thuhet edhe në vendimin e DASH që e shpalli “non grata”, vijon t’iu bëjë presion gjykatave.
“Siç vërehet në raportin mbi Shqipërinë të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni”, thuhet në reagimin e Ambasadës, që duket se është fiks për Berishën, i cili një ditë më parë i bëri presion të hapur gjyqtares që do shqyrtojë konfliktin e PD.
Reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë:
SHBA janë të përkushtuara për të vënë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës sonë të jashtme. Lexoni raportin e Departamentit të Shtetit mbi Të Drejtat e Njeriut
Siç vërehet në raportin mbi Shqipërinë të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni.
SHBA mbështet me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar & krimit të organizuar, & forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.