Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka komentuar procesin e reformës në drejtësi, krizën politike si edhe perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri. Gjatë një interviste për “Deutsche Welle”, ambasadori Soreca iu bëri thirrje aktorëve politikë që të ecin përpara dhe t’i lënë mënjanë ndasitë, në mënyrë që t’i japin fund krizës politike.
Në këtë kontekst, kryediplomati i BE në Shqipëri theksoi se ka ardhur koha që partitë politike të gjejnë gjuhën e kompromisit me njëra-tjetrën. “ Ne kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm.
Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat.
Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara”, deklaroi ai. Duke komentuar reformën në drejtësi, ambasadori Soreca deklaroi se kjo reformë është shumë e rëndësishme dhe e suksesshme, ndërsa theksoi se askush nuk ka për ta ndalur atë.
“Reforma e drejtësisë ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria. Duhet kohë, është një reformë gjigante, po ecën në mënyrë të qëndrueshme.Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme.
Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë”, nënvizoi ambasadori i BE në Tiranë, Luigji Soreca.