Policia e Malit të Zi ka arrestuar 55-vjeçarin shqiptar Anton Gjinaj, më saktë biznesmenin e njohur Pashk Rrapi, i cili ishte shpallur në kërkim me urdhër të Interpol Madrid.
Mediet malazeze raportojnë se Gjinaj është arrestuar në vendkalimin kufitar Rozaje me datë 8 Prill, por lajmi nuk është bërë i ditur për mediat në Tiranë nga autoritetet policore, deri mbrëmjen e djeshme, ku informacioni ka kaluar nëpërmjet burimeve konfidenciale.
“Bazuar në njohuritë operacionale, dhe më vonë në verifikimin dhe konfirmimin e identitetit, u përcaktua se ky person kërkohej me një identitet tjetër nga NCB Interpol Madrid, për të vuajtur një dënim me burg prej tetë vjet e nëntë muaj për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik droge.
Anton Gjinaj është anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importin, magazinimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në Spanjë, në zonat përreth qyteteve Murcia dhe Alicante”, ka deklaruar policia malazeze.
Pashk Rrapi, allias Gjinaj nëpërmjet kompanisë së tij “Alessio-2014” është një nga ndërtuesit dhe biznesmenët më të rëndësishëm në Shqipëri, i cili ka një prezencë të madhe në ndërtimet private dhe publike.