Pas atentatit që u bë në drejtim të mjetit me të cilin udhëtonte, prokurori i Durrësit, Artan Ndoja u tha se drejt makinës së tij u qëllua me dy kallashnikovë. Por të tjera detaje kanë dalë në dritë. Mësohet se këto nuk ishin të vetmet armë që autorët kishin me vete.
Në laboratorin shkencor është ekzaminuar edhe një pistoletë e sofistikuar titan me silenciator e cila është gjetur në automjetin e braktisur.
Burime nga grupi hetimor thonë se prania e kësaj arme tregon se autorët ishin përgatitur për ta kryer atentatin edhe në rrethana të tjera. Gjithashtu pohoet se atentatorët nuk e kanë djegur dot makinën sepse bagazhi ku ndodheshin shishet e benzinës nuk ishte hapur.
I arrestuar i vetëm për këtë ngjarje është Redjan Rraja, kushëriri i deputetit Rrahman Rraja.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka një përgjigje sa i takon objektivit të atentatit por ndërkohë prokurorët e çështjes Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj kanë shqyrtuar të gjithë dosjet e pronave në gjirin e Lalëzit për të verifikuar përfshirjen e mundshme të prokurorit Ndoja.