Bashkimi Europian duket se ka arritur në të njëjtën linjë mendimi si Shtetet e Bashkuara për Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Sipas VOA qeveritë evropiane janë në p-unë e sipër për të arritur në hartimin e një plani që do të konkludojë me një riformim të OBSH-së.
Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar i lartë evropian për çështje shëndetësore, duke sinjalizuar se Evropa ndan disa shqetësime të përbashkëta me SHBA, që janë të njëjtat shqetësime që çuan në largimin e amerikanëve nga organizata. Zyrtari evropian i shëndetësisë, i cili ka pranuar të japë lajmin në kushte anonimiteti mbi nismën që nuk është bërë ende publike, ka deklaruar se Britania, Franca, Gjermania dhe Italia po diskutojnë me Shtetet e Bashkuara mbi reformimin e OBSH në nivelin teknik.
Qëllimi i këtyre përpjekjeve sipas deklarimit të zyrtarit është që të sigurohet pavarësia e OBSH-së, një referencë e dukshme mbi pretendimet se organizata ka pasur qëndrime shumë të afërta me Kinës gjatë përgjigjes së saj fillestare ndaj krizës së koronavirus në fillim të këtij viti. Sipas zyrtarit reformat do të përfshijnë ndryshimin e sistemit të financimit të OBSH-së për ta bërë atë më afatgjatë.
Financimi është një problem i madh që ndikon në pavarësi sepse çdo dy vite Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nevojën që të mbledhë sa më shumë fonde dhe kjo mund të çojë në përkrahjen ose daljen kundër të një shteti financues edhe pse nuk ka të drejtë, sidomos në situata emergjente siç është për shembull pandemia nga e cila nuk kemi dalë akoma.
Tërheqja e SHBA nga organizata
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në fund të majit deklaroi dhënien fund të financimeve amerikane ndaj OBSH, duke e akuzuar organizatën për mbrojtje ndaj Kinës. Vendimi i marrë nga SHBA alarmoi atëherë ekspertët mjekësorë të cilët e vlerësuan vendimin si me ndikim të padiskutueshëm në përpjekjet për të përmirësuar shëndetin e popullsisë botërore. Trump akuzoi OBSH-në se nuk ka ndërmarrë ato hapa dhe masa të cilat ai i konsideronte si decizive në kontrollin apo edhe përmirësimin e situatës dhe të mos shpërndarjes së mëtejshme të virusit në të gjithë globin.
“Ne do ti japim fund investimit të të ardhurave tona në OBSH dhe do ti drejtojmë ato drejt një ose disa organizatave të tjera mbarë botërore që i meritojnë më shumë këto fonde. Bota ka nevojë për një përgjigje nga Kina për virusin dhe jo ta mbrojmë atë”, është shprehur Trump. “ Qeveria amerikane dhe kontributi i qytetarëve të saj dhe bujaria e tyre mbi shëndetin e popullsisë globale, ka qenë i pafund në shumë dekada histori, dhe nuk mundemi që të hedhim poshtë impaktin e pakundërshtueshëm dhe diferencën që ka bërë kjo gjë në shëndetin e popullsisë botërore.
Dëshira e OBSH është që ky bashkëpunim të vazhdojë”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë pas bërjes publike të vendimit nga Trump. Në 18 maj Presidenti Trump i dërgoi një letër Tedros Adhanom Ghebreyesus duke i sqaruar pikëpamjet e tij se si organizata ka qenë duke mbështetur Kinën gjatë të gjithë kësaj kohe dhe ka dhënë “ultimatumin” për të bërë përmirësime madhore brenda 30 ditësh nga dërgimi i letrës. Gjithsesi Trump nuk e kishte bërë të qartë se çfarë nënkuptonte me “ndryshime madhore” dhe se cilat ishin reformat specifike që kërkonte që të ndërmerreshin nga OBSH-ja. Nuk kanë qenë të pakta pretendimet e Trump që Kina jo vetëm të marrë përgjegjësinë për krijimin e një pandemie ndërkohë që sipas tij gjithçka mund të ishte kontrolluar që në origjinë, por madje ka paralajmëruar edhe kërkimin e dëmshpërblimi nga qeveria kineze për dëme ekonomikë, në shëndetësi dhe në njerëz.