Takimi i 14 janarit ka vënë në lëvizje të gjitha partitë politike në vend. Sinjalet janë të qarta se po shkohet drejt zgjedhjeve, ndërsa Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë ndezur motorët. Të treja këto parti kanë zbritur në bazë për të takuar strukturat dhe mobilizuar për zgjedhje, ndërkohë që gazeta ka mësuar se beteja është ndezur tej mase mes këtyre tre forcave politike. Sipas informacioneve, mësohet se PD dhe PS janë vënë në lëvizje për të rrudhur anëtarësinë e LSI, në mënyrë që partia e Kryemadhit të shkojë e gjymtuar në zgjedhje.
Ditën e djeshme Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka qenë në qytetin e Durrësit, ku është takuar me strukturat, ndërsa ka porositur të vetët që të shtojnë anëtarësinë dhe të përgatitet për zgjedhje, sikundër ato të mbahen nesër. Po ashtu, duke qenë se edhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar më herët që PD të hapet dhe të ftojë pranë saj të gjithë kundërshtarët e qeverisë dhe të pakënaqurit, mësohet se Bardhi e ka ripërsëritur këtë kërkesë në takimin e djeshëm dhe ato që ka pasur gjatë ditëve të fundit.
Nga ana tjetër, mësohet se edhe Partia Socialiste është vënë në lëvizje, për të shtuar anëtarësinë, pas urdhërit të kryeministrit Edi Rama. Mësohet se socialistët po shfrytëzojnë riorganizimin e partisë dhe zgjedhjet brenda saj, për të ndarë porositë. Por sipas informacioneve, mësohet se si PD ashtu edhe PS po e shtojnë anëtarësinë, duke dobësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mësohet se kohët e fundit shumë simpatizantë dhe militantë të LSI kanë braktisur këtë parti, për t’iu bashkuar dy partive të mëdha. Gazeta e ka paralajmëruar më herët se djegia e mandateve dhe braktisja e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit do të rezultojë fatale për partinë e Kryemadhit dhe duket se kështu po ndodh realisht. Sipas informacioneve, mësohet se shumë anëtarë të LSI kanë braktisur këtë parti, duke iu bashkuar Partisë Socialiste dhe PD-së.
LSI në alarm nga shkrirja
Por duket se ky eksod dhe sidomos shkrirja e partisë, ka alarmuar tej mase kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit ditët e fundit ka pasur takime me strukturat e saj në rrethe, ndërkohë që në retorikën e saj ka bërë thirrje për hapjen e partisë dhe invetarizmin e saj. Dje zonja Kryemadhi zhvilloi një takim në qytetin e Korçës, nga ku iu bëri thirrje të gjithëve që t’i bashkohen LSI-së, pasi sipas saj, kjo parti është e vetmja që mund të promovojë qytetarët, duke i bërë deputetë, kryetar bashkish dhe iu gjetur punë. Sipas saj, ka shumë njerëz të zhgënjyer dhe se dyert e LSI-së janë të hapura për të gjithë. “Ne duhet të trokasim në dyert e tyre për t’ju zgjuar ndjenjën, për ti thënë përfshihuni, për tu thënë merrni fatet në dorën tuaj. Prandaj edhe ne sot si LSI kemi filluar fushatën dhe do ta vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë, hapjen e dyerve të LSI”, deklaroi Kryemadhi.
Berisha nxjerr të vetët për të sulmuar Bashën
Por teksa PD dhe PS janë bërë bashkë, ku nga njëra anë janë ulur në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore dhe nga ana tjetër po rrudhin LSI, ish-kryeministri Sali Berisha është vënë në lëvizje. Ish-kryeministri ka nxjerrë të vetët për të sulmuar Bashën, duke qenë se ky i fundit braktisi protesta dhe u ul në tryezë me Ramën. Kështu, emra si Jozefina Topalli, Sherefedin Shehu, Valbona Mezini, apo edhe së fundmi Edvin Kulluri kanë reaguar ashpër duke sulmuar dhe akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha si tradhtar. Madje, dje gjatë një prononcimi për mediat, Kulluri akuzoi Bashën se ka rrënuar partinë. “Humbja e 2017-ës ja pamundëson fitoren Lulzim Bashës në 2021-shin, është humbje e rëndë, dhe sjellje e papërgjegjshme pas asaj humbje, sa rrënimi i Bashës është i parikuperueshëm. Vetëm 1 në 6 demokratë e mbështet Bashën, e kemi me sondazhe”, deklaroi Kulluri./Rigels Seliman