Sot presidenti Meta vlerësoi lart ekipin e Dinamos dhe bëri të ditur se ai ishte një tifoz i zjarrtë i tij.
Bilushi i Metës bëri këtë shpjegim për gazetarët, që u habitën nga kjo zgjedhje e presidentit:
“Të dashur miq!
Presidenti Meta ka qenë një dinamovit i fshehur.
Ai ka pas idhull skuadrën e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe nuk e ka fshehur kurrë këtë sa ishte i ri.
Ndryshimi filloi pas viteve ‘90.
Deri nga viti 2004 ai ishte me Dinamon, pasi e kishte Delijorgji.
Kur ai e shiti, Meta humbi besimin.
Meqë më 2004 themeloi LSI-në dhe ngjyra e saj koinçidoi me Partizanin, ai u bë me Partizanin.
Këtë skuadër e mbrojti me zjarr deri në vitin 2017, sa ishte në koalicion me socialistët.
Pasi u nda me socialistët, vendosi të bëhet me Tiranën.
Për këtë u angazhua t’u japë shtetësi dhe disa futbollistëve afrikanë të paligjshëm, vetëm që Tirana të forcohej.
Pastaj një nga këta futbollistët, sapo mori shtetësinë iku në Itali dhe nuk pagoi as lekët.
Këtu presidenti u nxeh dhe u betua se nuk do ishte më kurrë me Tiranën.
Sot kur dëgjoi që Dinamo u ngjit prapë në Superiore, thirri presidentin e klubit dhe i deklaroi se është tifoz i Dinamos.
Me këtë rast u premtoi dhe shtetësinë shqiptare, që të mos paguanin taksa në Itali.
Tani të jeni të qartë të gjithë, presidenti është tifoz i Dinamos.
Ngjyra blu e Dinamos është e njëjtë me të PD dhe presidenti është komod me atë fanellë.
Për çdo ndryshim në të ardhmen, do t’ju njoftoj”.