Zbardhen detajet e provave që ka në dorë mazhoranca kundër Presidentit Ilir Meta. Gazeta raportoi pak ditë më parë se ishin kërkuar informacione nga plot 8 institucione, të cilët kanë venë në dispozicion të Komisioni Hetimor të dhëna shkresore, sa i takon 30 qershorit dhe Presidentit Meta. Kështu, mes institucioneve që i kanë kthyer përgjigje Kuvendit janë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Presidenca, Ministria e Brendshme, Kolegji Zgjedhor, Qendra e Botimeve Zyrtare, Autoriteti i Medias Audiovizive.
Më konkretisht, Qendra e Botimeve Zyrtare në përgjigjen e saj për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra ka dhënë sqarime mbi datën e publikimit të dekretit të kreut të shtetit për shfuqizimin e 30 qershorit. Po ashtu, QBZ në përgjigje sqaron me detaje bazën ligjore, kur është publikuar dekreti dhe arsyet se përse nuk është publikuar dekreti i 13 tetorit. Sakaq, një tjetër provë që mazhoranca qeverisëse do të përdorë si provë kundër Presidentit Meta është përgjigjia që KQZ ka vënë në dispozicion të komisionit hetimor. Sipas informacioneve të gazetës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dorëzuar pranë komisionit hetimor një dosje shumë voluminoze, ku e informon mbi arsyet ligjore që u bazua për të refuzuar dekretin e Metës sikundër ishte shtyrja e zgjedhjeve. Po ashtu, mësohet se KQZ i ka dhënë mazhorancës sqarime të detajuara mbi administrimin e zgjedhjeve, deri tek vendimi i shpalljes së rezultatit të 30 qershorit.
Informacionet nga Ministria e Brendshme dhe Kolegji Zgjedhor
Një tjetër institucion, i cili i ka kthyer përgjigje mazhorancës, e cila do të përdorë si provë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta nga detyra është Ministria e Brendshme. Gazeta ka mësuar se ky institucion i ka vënë në dispozicion komisionit listat zgjedhore dhe numrin e zgjedhësve që morën pjesë në 30 qershor, si dhe detaje nga vendimi që detyronte administratën që të mos përfshihej në fushatën zgjedhore. Nga ana tjetër, përgjigje mazhorancës i ka kthyer edhe Kolegji Zgjedhor. Sipas informacioneve, kolegji ka vënë në dispozicion të komisionit hetimor vendimin për padinë që bëri në kolegj Partia e Unitetit Kombëtar, e drejtuar nga Idajet Beqiri, i cili kërkonte nëse dekreti i Metës për anulimin e 30 qershorit ishte i ligjshëm, apo jo. Më konkretisht, kolegji në përgjigjen e tij ka dhënë argumentat e plota ligjore se përse Presidenti Ilir Meta nuk kishte të drejtë të ndryshonte 30 qershorin. Ndërkohë, një tjetër institucion që ka kthyer përgjigje është Autoriteti i Medias Audiovizive. Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta, ky institucion, i cili ka mision të raportojë fushatën, i ka kthyer përgjigje Komisionit Hetimor, sa i takon monitorimit të fushatës zgjedhore dhe pasqyrimit që i është bërë asaj nga media vizive dhe e shkruar. Ndërkohë, edhe Presidenca ka thyer përgjigje, e cila mbronte me argumenta dekretin e anulimit të zgjedhjeve nga kreu i shtetit.
Dekreti nxiti krime zgjedhore
Përveç institucioneve të sipërpërmendura, përgjigje mazhorancës i kanë kthyer edhe Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit, të cilët kanë vënë theksin se anulimi i zgjedhjeve nga ana e Metës nxiti krime zgjedhore. Sipas policisë janë bërë plot 32 kallëzime për 192 autorë, të cilët akuzohen për krime zgjedhore. “Në total për periudhën 10 qershor 2019 e në vazhdim, janë gjithsej 32 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 27, ose 84,37% e tyre. Në këto vepra penale janë proceduar 192 autorë, nga të cilët 71 persona të arrestuar, 18 të ndaluar, 60 ndiqen në gjende të lirë dhe 43 janë larguar dhe shpallur në kërkim policor”, thotë policia. Ndërkohë, në përgjigjen e saj prokuroria thekson se janë bërë plot 37 procedime për krime zgjedhore. Pra, të gjitha këto prova të administruara nga mazhoranca pritet të vulosin shkarkimin e Metës. /Rigels Seliman