Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi lidhjet e tij me miliarderin pedofil, Jeffrey Epstein, në një intervistë për BBC, Princi Andrew tha se incidentet e supozuara “nuk kanë ndodhur kurrë”.
Virginia Giuffre, njëra prej akuzuesve të Epsteinit, këmbëngul se e kanë detyruar tre herë të kryente marrëdhënie intime me princin.
Por ai përgjigjet se në njërin nga rastet, ishte në shtëpi, me fëmijët e tij pas një feste.
Ai e pranoi se ka fluturuar vërtet me avionin famëkeq të Epsteinit, që mbante nofkën “Lolita Express” dhe tha se ka qëndruar në ishullin privat të miliarderit, në shtëpinë e tij në Palm Beach, si dhe në rezidencën e financierit në New York.
Por i refuzon kategorikisht akuzat për intimitet me një të mitur. “Nuk ka ndodhur.
Unë absolutisht mund t`ju them në mënyrë kategorike se nuk ka ndodhur kurrë. Nuk kujtoj të kem pasur ndonjë takim me këtë zonjë, asnjë që të më vijë ndërmend”, ka deklaruar Princi Andrew.