Këshilli i Ministrave përmes një “Akti Normativ” autorizon ministrat Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj që të zhvillojnë negociata me ofrues të tjerë për blerjen e më shumë vaksinave anti-Covid-19.
Akti Normativ është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.
Nuk dihet nëse dy ministrat e autorizuar nga Rama do të zhvillojnë negociata për blerjen e vaksinave ruse dhe kineze, apo do të mbajnë sytë nga perëndimi, te vaksinat e reja amerikane dhe britanike.
“Dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, thuhet ndër të tjera në Aktin Normativ të miratuar.