Gjyqtarët dhe prokurorët e prekur nga vetingu kanë nisur betejën kundër reformës në drejtësi. Prokurori dhe njëkohësisht anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani e kaloi shkallën e parë të vetingut, por për Komisionerin Publik qëndrimi i tij në detyrë është i diskutueshëm dhe çështja u ankimua në KPA. Por prokurori Besnik Cani duket se nuk do të dorëzohet lehtë, pasi dje nisi një luftë të fortë për t’i mbijetuar largimit nga sistemi i drejtësisë.
Kështu, në seancën e djeshme përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Besnik Cani sulmoi ashpër dy gjyqtarët e trupës gjykuese. Përmes avokatit të tij, Eduart Halimi, prokurori Cani kërkoi të përjashtohen nga trupa gjykuese anëtarët Artan Hajdari dhe Luan Daci. Gjatë fjalës së tij, avokati i Canit tha se të dy anëtarët e trupës gjykuese nuk duhet të ishin pjesë e KPA-së, pasi sipas tij, ata nuk përmbushnin kriteret ligjore. Duke mos mjaftuar me kaq, avokati i anëtarit të KLP-së, i bëri me dije trupës një kallëzim penal të bërë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ndaj gjyqtarit Luan Daci, i akuzuar për “falsifikim të formularëve”. Pavarësisht akuzave, trupa e Kolegjit tentoi të rinisë seancën, por u pengua sërish, pasi avokati kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të pezullojë procesin e rivlerësimit deri në përfundim të mandatit të Canit si anëtar i KLP-së. Kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese, duke e cilësuar si të pabazuar, ndërsa kërkesën për përjashtimin e dy gjyqtarëve, kryesuesja bëri me dije se seanca do vijojë dhe ndërkohë do të hidhet me short për të vendosur dy gjyqtarët e tjerë.
Thanza i drejtohet Strasburgut
Por Cani nuk është i vetmi që po lufton kundër reformës. Dje, ish- gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i shkarkuar për mosdeklarim të një dënimi që kishte marrë në Itali 21 vite më parë, bëri me dije dje se i është drejtuar Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. Duke sjellë në vëmendje sfidën me KPK-në dhe KPA-në, ish-gjyqtari Thanza u shpreh se shumë gjetje të Komisionit ishin të pavërteta dhe të pabazuara në prova. “Veting-u ishte një proces që nisi si domosdoshmëri. Rasti im ishte një fryrje artificiale dhe nëse do t’i hyjmë pjesës profesionale dhe financiare, aty ka shumë fakte të pavërteta dhe për këtë nuk kanë prova”, tha Thanza. Gjithashtu, ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë u shpreh se gjatë procesit në KPA është ndjerë i diskriminuar, pasi, duke shpjeguar procedurën, Thanza tha se gjatë përballjes në shkallën e dytë, nuk i është dhënë e drejta për të depozituar prova, në mënyrë që të provojë të kundërtën e pretendimeve.
“Ajo që është më specifike, në rastin tim, është cenimi i nenit 8 të konventës, lidhur me cenimin e jetës private. Në mënyrë tepër të padrejtë, të dy shkallët cenojnë, së pari, ajo që unë kam kërkuar për rastin e dënimit tim në shtetin italian, pasi nuk kemi të bëjmë me një vendim dënimi. Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut pikërisht, pyetja 6/b, i drejtohet shtetit shqiptar, nëse janë respektuar masat mbrojtëse procedurale për një proces të rregullt vendimmarrës, nga institucioni i veting-ut. Specifika e dy organeve të veting-ut janë që KPA bën hetim të përgjithshëm dhe të vë përpara barrës së provës, po kështu dhe Apeli të marrë prova të reja, por në rastin tim ata mbivlerësuan gjetjet e tyre. Sot që një shtet të mos ketë funksionale një gjykatë nuk më duket normale. Ka njerëz që mund ta ringrejnë atë gjykatë. Nuk mendoj se jam sulmuar për vendime të miat, ndonëse si ish-gjyqtar ndihem i diskriminuar dhe i fyer”, tha ish- gjyqtari Admir Thanza./ORNELA ÇELPICA /Sot