Në janar të vitit 2011, në kohën që LSI qeveriste në pushtet me Partinë Demokratike, ishte emisioni investigativ “Fiks fare”, i cili publikoi një video-përgjim, mes ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti dhe Ilir Metës, në atë kohë zv.kryeministër. Videoja pretendohet se ishte regjistruar nga vetë Dritan Prifti më 1 mars 2010, në zyrën e ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive.
Ndër të tjera në bisedë përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas zotit Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali.
Por, në janar të vitit 2012, pra rreth një vit pas publikimit të këtij skandali, Gjykata e Lartë i dha pafajësinë Ilir Metës.
Video Meta-Prifti, u rrëzua në Gjykatë nga tre të ashtuquajturit ekspertë, Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani, të cilët më pas LSI i shpërbleu me poste.
Ekspertuesit e regjistrimit “Meta-Prifti”, në Gjykatën e Lartë, thanë se videoja e ekspertuar nuk ishte origjinale; se kishte shumë mundësi që në të të ishte ndërhyrë dhe se materiali kishte shumë zhurmë.
Por, edhe pse në Gjykatën e Lartë doli, Ilir Meta doli i pafajshëm, ka edhe një tjetër video e cila duhet të hetohet.
Aty duhet përfshirë edhe Fahri Balliu, dhe kjo mund të jetë një provë e re dhe një fakt për të rihapur dosjen “Meta”.
Është një audio-përgjim i papërdorur e cila mund të rihapë atë dosje hetimore.
Në 16 nëntor 2012, gazeta “Shqiptarja.com”, publikoi një tjetër video, të ish Ministrit të Tregtisë dhe Energjetikës, të ndjerit Dritan Prifi dhe botuesit të gazetës “55” Fahri Balliu, e regjistruar në 1 mars të vitit 2010.
Në fakt, video është regjistruar në të njëjtën ditë me videon Meta-Prifti, dhe Fahri Balliu ka qenë në zyrën e ish ministrit, vetëm pak minuta para se në të të hynte Ilir Meta.
Kamera ka qenë e ndezur, dhe gjithë biseda e Fahri Balliut me ish ministrin ka arritur të regjistrohet. Në atë kohë, botuesi i kërkon ministrit favore për disa industri, duke përfshirë tendera si në skrap apo edhe në miniera.
Video është e rregjistruar për 7 minuta dhe nuk ka të njëjtën gjatësi bisede sa video që është regjistruar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Sipas asaj që dëgjohet qartë në këtë video, botuesi i gazetës “55” Fahri Balliu ka shkuar për dy çështje kryesore për të takuar ministrin. Në pjesën e parë të bisedës me ish ministrin, Fahri Balliu, duke i ofruar rryshfet ministrit, në shuma qindra mijëra eurosh, i kërkon që një kompani ruse të hyjë në tender skrapi, në një prej rafinerive kryesore në vend.
Pra, Ilir Meta mund të pretendojë se me vendimin e gjykatës ka dalë i pafajshëm, se video nuk ekziston, por në fakt nuk mund të hedhë poshtë diçka që shqiptarët e kanë parë me zë dhe me figurë, pasi edhe vetë Ilir Meta nuk e ka ankimuar më tej çëshjen për të akuzuar median që e publikoi për shpifje apo fyerje. Por përdori instrumenta, me tre persona ekspertë të cilët më pas u bënë drejtorë dhe biznesmenë të lartë nga LSI, për të rrëzuar videon në gjykatë./ CNA.al