Brenda 15 dhjetorit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion pritet të jetë tërësisht funksionale. Ashtu siç gazeta e paralajmëroi pak ditë më parë, dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që më 25 nëntor të emërojë 8 anëtarët e SPAK. Ndërkohë që brenda 3 javësh nga 25 nëntori, do të emërohet kryeprokurori i SPAK dhe do të transferohen të gjitha dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar tek Prokuroria e Posaçme. Detajet i bëri me dije kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi një ditë më parë, në mbledhjen e zhvilluar me anëtarët e KLP. “Në datën 25 nëntor ne do të marrim vendimin për emërimin e 8 prokurorëve që mund të emërohen, pra atyre 8 prokurorëve që e kanë kaluar tashmë vetingun në Prokurorinë e Posaçme. Ne do t’i japim këtyre vendimeve të datës 25 mendoj, do të jetë në dorën e Këshillit kjo gjë por mendoj që do të japë një efekt të vonuar me 2-3 javë për t’i dhënë mundësinë po Këshillit që të zgjedhë drejtuesin edhe administratës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të konvertohet për aq sa është e nevojshme në administratë të Prokurorisë së Posaçme. Është një proces që kërkon deklarimin nga ana e tyre të gatishmërisë për t’iu nënshtruar kontrollit të posaçëm që ligji parashikon për punonjësit e administratës së Prokurorisë së Posaçme, pra duhet pak kohë për këto procese për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK-ut dhe konvertimin e administratës dhe në këto kushte do t’u japim një efekt të vonuar vendimeve tona të datës 25”, deklaroi Ibrahimi.
Byroja e Hetimit
Në janar të vitit 2020, pritet të bëhet funksionale Byroja Kombëtare e Hetimit. Me emërimin e anëtarëve të SPAK, e më pas Kryeprokurorit, dosjet me kompetencë të SPAK do të transferohen, duke i hapu rrugën Byrosë së Hetimit, e cila do të jetë njësia që do të mbështesë me veprime hetimore Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Është thënë prej kohësh që ky institucion do të bëhet funksional kur KLP të marrë vendimin për funksionimin e SPAK-ut dhe të emërojë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
Zgjedhja e Kryeprokurorit
Në mbledhjen e djeshme është diskutuar dhe për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Anëtarët miratuan rregulloren ku do bazohen për renditjen e kandidatëve. Gjithashtu, KLP njoftoi dje se ditën e sotme do të zhvillohen intervistat për tre kandidatët në garë për Prokuror të Përgjithshëm. Për këtë post, në garë janë Arta Marku dhe prokurorët Olsian Çela dhe Fatjona Memçaj, të cilët do t’i nënshtrohen vlerësimit me pikë dhe renditjes nga KLP, përpara se lista t’i dorëzohet Kuvendit. Sipas njoftimit zyrtar të KLP, kryeprokurorja aktuale, Arta Marku do të intervistohet në orën 9 të mëngjesit të sotëm, duke vijuar me Fatjona Memçaj, në orën 11, dhe si përfundim Olsian Çela, në orën 12:30. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është parashikuar si mekanizëm zhbllokues për rrethanat kur nuk arrihet një mazhorancë e cilësuar mes forcave të ndryshme politike. Në kushtet aktuale të bojkotit të Kuvendit nga opozita, zgjedhja e Kryeprokurorit të ardhshëm mbetet sërish në vullnetin e mazhorancës. Megjithatë në rast se Kuvendi nuk e zgjedh dot, kandidati i renditur i pari nga KLP emërohet automatikisht si Prokuror i Përgjithshëm.