Izet Haxhia do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi ditën e djeshme të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila disa ditë më parë refuzoi kërkesën e Haxhisë për lehtësim apo zëvendësim të masës së sigurisë. Procesi gjyqësor në këtë gjykatë doli nga ngërçi pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi delegimin e dy gjyqtarëve të Apelit të Shkodrës dhe një të Apelit të Korçës për të shmangur konfliktin e interesit, siç pretendon pala e paditur.
Gjatë seancës së djeshme, mbrojtja e Izet Haxhisë, Idajet Beqiri paraqiti dje edhe një herë arsyet se pse ish-truproja e Sali Berishës meriton të lërë qelinë e burgut dhe të lihet në arrest shtëpiak. Sipas tij, Haxhia ka kryer 13 vjet paraburgim dhe tani është e drejta e tij t’i lehtësohet masa. “Nuk është llogaritur drejt paraburgimi që ka bërë në Turqi sepse duhet mbajtur në konsideratë Kodi Penal turk sepse e kanë raportin 1 me 3. Katër vjet ai i ka bërë atje paraburgim, dalin 13 vjet burg. Edhe në 2010 nuk është se u lirua nga burgu, por nga paraburgimi. Ata nuk e kanë arrestin shtëpiak, por detyrim paraqitje që është e njëjtë si arresti shtëpiak”, tha Idajet Beqiri. Ai paraqiti para trupit gjykues një provë, që sipas tij dëshmon që Haxhia ka qëndruar në arrest shtëpiak në Turqi. Por kjo provë nuk u pranua nga trupi gjykues sepse ishte në gjuhën turke. Vetë Izet Haxhia pretendoi se qëndron në burg për shkak të një marrëveshje politike, por ai deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohet, vrasjen e Azem Hajdarit. “Që në fillim kur u akuzova nuk i jam shmangur drejtësisë. Por kjo çështje është një çështje politike. Nga një marrëveshje unë u dënova pa patur lidhje.
Se drejtësia dihet si ka q enë. Dy vitet e fundit ka filluar të lëvizë. Me këtë shpresë unë u ktheva në Shqipëri. Mund të ikja në Evropë, por s’e bëra. Unë s’i jam shmangur. Kam besim në paanësinë tuaj se unë mbahem në burg nga një opinion i krijuar nga politikanët”, u shpreh Izet Haxhia. Por pavarësisht argumenteve të dhënë nga Haxhia dhe avokati i tij, treshja gjykuese vendosi rrëzimin e kërkesës për lehtësim mase dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Tiranës. Ky vendim u dha në 21-vjetorin e grushtit të shtetit të organizuar në 14 shtator të vitit 1998. Ky grusht u organizua pas vdekjes së Azem Hajdarit dhe Izet Haxhia ishte protagonist në të. Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri deklaroi se ky vendim i Gjykatës së Apelit do të ankimohet në Gjykatën e Lartë, kur kjo e fundit të ngrihet.
Rrugët që ndiqen për përballjen me Berishën
Me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit të Tiranës, nuk e pengon më asgjë procesin gjyqësor për Izet Haxhinë. Tani palët nuk kanë pengesa të ballafaqohen në gjykatë. Të premten Prokuroria e Tiranës kërkoi nga gjykata shpalljen e kompetencës dhe kalimin e dosjes te Gjykata e Krimeve të Rënda. Duket se pala e paditur është dakord me një lëvizje të tillë. Një sinjal të tillë e dha dje avokati Idajet Beqiri gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”. “Objektivat që duam të arrijmë me këtë gjykim ne mund t’i realizojmë më mirë në Gjykatën e Krimeve të Rënda”, tha Beqiri. Kjo do të thotë se të premten kur Gjykata e Tiranës të vendosë për kërkesën e prokurorisë do të eliminohet edhe çështja e fundit që nuk lejon procesin të zhvillohet normalisht. Më pas, pritet që dosja të kalojë tek Krimet e Rënda dhe procesi të vazhdojë pa asnjë pengesë me thirrjen e dëshmitarëve dhe nxjerrjen e provave të reja. Në këtë mënyrë, hapet edhe rruga e përballjes së Haxhisë me Sali Berishën. Ish-kryeministri do të jetë personazhi i parë që do të thirret për të dëshmuar për të treguar gjithçka di për atentatin e bërë kundër Azem Hajdarit. Ajo që duhet theksuar është fakti se edhe nëse Haxhia do të ankimojë vendimin e Gjykatës së Apelit tek Gjykata e Lartë, kjo nuk do të pengojë punën e gjykatës për të vijuar shqyrtimin gjyqësor. /Mimoza Ibra /Sot News/