Erdhi më takoi, por ndryshe nga herët e tjera, kur rufisnim kafet e paradites dhe flisnim për gjithçka. Sot, erdhi të ndante me mua lamtumirën e tij! E madhe të thuhet kjo fjalë. Sinqerisht më tronditi! Do iki, me doli llotaria amerikane! Lamtumire mes njerzish dhe miqsh të veçantë, të cilët për nga vlerat që mbartin, këtyre kohëve, duken si ariu në dyqan të qelqurinave! Një kohë e ndyrë, ku jeta e virtytshme, shfaqet totalisht për të qënë ironike në një shoqëri që lëkund ferrin!
Iku,- thashë me vete,- dhe një mirësi e çmuar. Një mik i shkëlqyer, një biznesmen fantastik, puna e të cilit ka gjurmë historike të pashlyeshme në metropol.
-Po iki për fëmijët., por edhe për eksperiencë tjetër…
– Të kuptoj, – i thashë ,- por do të mungojë dielli i Shqipërisë…
– E kam në video, – bëri humor dhe qeshëm të dy. Në fakt në sytë e tij lexohej dhe kuptohej zhgënjimi.
Ai fliste, ndërsa mendoja se kur bëhesh prind, gjërat e thjeshta bëhen më të ndërlikuara, sepse vijnë fëmijët, orbita ku rotullohet planeti prindëror. Pastaj më erdhi në mend fabula me diellin. Po thoja vevtevetes, se në të vërtetë, diellin, më të ngrohtë e kanë afrikanët, por edhe ata kane mbetur zbathur mbi tokën e diamanteve! S’ka shtet! Ka korupsion! Dielli i vërtetë, ai njerëzori është dielli që vjen nga shteti! Sot ka shtete diell, që të ngrohin njësoj, pamvarësisht nga ngjyra, kombësia, origjina dhe feja, janë shtete të drejtë dhe të ndershëm, pa paranoja, pa mashtrime, pa delire, pa klane, pa shefa, pa legena… Shteti jonë, megjithë përpjekjet, mbeti diell mbuluar nga korupsioni dhe padrejtësia. Sa më i vogël të bëhet ky diell, aq më e madhe dëshira për të emigruar!
Ndërsa shkëmbyem përqafimet, një zbrazëti ndjeja brenda vetes.
Unë kam emigruar në vitin 2000, atëhere kishte doza dhe shkaqe të forta që të inspironin emigrimin. Ndërsa mbas tetëmbëdhjetë vitesh, në vitin 2018, kur mendon se gjërat duhej të kishin marrë shtratin normal, ende duam të ikim! Haraç të madh po paguajmë, për vitet e mbrapshta. Demokraci e paktit me djallin! Lejuam shëmtinë për të na rrëmbyer gëzimin e të ardhmes. Kemi liri, por nuk ndjehemi zot të vetvetes! Liri në mizorinë e të paftëve, injorantëve, servilëve. Ka shumë ligësi! Njoh shumë njerëz të cmuar, takohemi e flasim. Më kumbojnë veshët për çfarë dëgjoj. Absurde, delire, pengesa, urdhëra që kalërojnë tigrin, ngacmime, premtime… shefash të vegjël të hijshëm të ferrit! Vuajtja prej tyre, si në shtet apo në privat, është pothuaj epidemike. Kur vdes dinjiteti, kufoma e tij mer emrin e shefit të radhës! Këta shefat e vegjël, që dridhen nga shefat e mëdhenj, dhe kështu drithërima shkon deri në rrethin e fundit!!! Një punë e tille, është neveritëse, por e pëlqyer prej hallit. Punë që të nxihet jeta.
Arratitë e njerëzve të vlefshëm, janë tregues të dekompozimit të shoqërisë, i molepsjes prej gjithë ndyrësive. Ndërsa shkruaj, unë e di, jam i sigurt që mëndje ngritur për të emigruar, janë të tjerë njerëz të mrekulluëshëm dhe të vlefshëm!
Kjo është hemoragji e brëndshme deri aty, sa trupi të bjerë në koma. Pastaj?! Pastaj të rojnë mikrobet e jetës.
Të qoftë rruga e mbarë miku im Edi! Unë e di, e kuptoj motivin tënd, ti ndjehesh i lënduar, i pavlerësuar. Ashtu siç e mar me mend, se edhe në Amerikë, ti do shkëlqesh! Zoti të bekoftë!./ Nga Xhek London Fb