Reportazh nga gazetari Norel Zaimi
“Kur kemi ujë pimë verë, kur skemi ujë pimë ujë”
Ishte një mëngjes i zakonshëm në redaksinë e lajmeve në Televizionin Publik Shqiptar atë ditë vjeshte, teksa përmes telefonit shefi im më thirri të takoheshim pranë në bar-kafeneje ngjitur me Televizionin. Mendova se sigurisht telefonata kishte të bënte me punën. Dhe pikërisht skishte se si të ndodhte ndryshe. U bashkova në tavolinën ku gjendeshin edhe dy burra të tjerë. Një ambientalist dhe një ish deputet i parlamentit të Shqipërisë në vitet 2000. Ata dukej se kishin një bisede të përqëndruar për një zonë të Matit, dhe kishin hapur disa shkresa, grafiqe me fotografi, studime për atë rajon.
Nuk isha në brendësi të situatës derisa më sqaruan se sapo më kishin ngarkuar me një punë e cila do të kryhej në bashkinë e Matit. Një vëzhgim dhe realizim të një emisioni televiziv që do të hetonte mbi një vepër hidroenergjitike. Bëhej fjalë për një zonë ku ndodhej një lumth i cili po shfrytëzohej prej një kompanie e cila po shkelte shumë ligje, dhe sidomos atë më kryesorin, ndërhyrjen dhe ndërtimin e një vepre të industrisë së rëndë në brendësi të një Parku Kombëtar.
Dy burrat flisnin ndërsa unë ende nuk orientohesha dot për zonën, pasi siç e mësova edhe pasi e shkela, ajo kufizohej nga shumë bashki dhe mbi të gjitha ishte pjesë e Parkut Kombëtar Lurë-Dea. Ndenjëm përreth një orë në tavolinë duke dhënë mendime se si do të pregatisnim një material që do të pasqyronte këtë abuzim që po ndodhte në një zonë të quajtur Melthi i Kolecajve në afërsi të Kurbneshit, në Zall-Gjoçaj, në kufijtë e skajshëm të Dibrës, Lezhës, Mirditës dhe bashkisë së Matit. Atë ditë nisa të mblidhja informacion për këtë zonë. Më dhanë një numër telefoni me të cilin do të lidhesha. Quhej Luftar (Dhimitër) Koleci.
Me Luftarin dhe kushërinjtë e tij që banojnë e punojnë sot në Kamëz, do të udhëtonim sëbashku me ambientalistin dhe Ogertin, operatorin me të cilin do të xhironim të gjithë rrugëtimin tonë por edhe do të hidhnim dritë mbi mosmarrveshjet që kishin lindur mes banorëve dhe administratorëve të firmës, pasi kishte nisur puna për ndërtimin e HEC-it. Nisja u bë pas tri ditësh herët në mëngjes. Rruga deri sa lamë asfaltin në rajonin e Mirditës është relativisht e mirë. Por ajo vështirësohej kur nisëm të hynim në shtigje pafund, aksesh të amortizuara dhe mes një tymnaje mbytëse, deri sa mbrritëm në Kurbnesh.
Kurbneshi një vendbanim i vogël urban, i cili u ngrit prej minatorëve, burrave fisnikë që punuan në mesin e viteve 50-të në minierat e bakrit. Në makinë me ne ishte edhe bashkëshortja e Luftarit (Dhimitrit), Alta. Luftari kishte pësuar një aksident në këmbë ato ditë dhe mjeku i kishte thënë që të mos lëvizte por ai me një patericë dhe me një kurajë të madhe, kishte vendosur që të merrte atë udhëtim, që më vonë kuptuam të ishte pikënisja e një rezistence njerëzore dhe qytetare për të mbrojtur veprën e Zotit dhe të të parëve. Sapo lamë Kurbneshin dhe morëm të përpjetën e një maloreje të butë, me ne u bashkuan edhe 5-6 automjete ku shumica makina për rrugë malore dhe me karroceri të mbushura me burra me fytyra të vrenjtura.
Ndalesa e parë ishte në një kantier ndërtimi. Pikërisht aty ku dhe u organizua një protestë simbolike me rreth 30 banorë kryesisht nga Zall-Gjoçaj dhe Melthi i Kolecajve. Aty një tunel që depërton mespërmes një mali po thellohej për të shtruar tubo metalike gjigande. Në kantier s’kishte atë ditë as policë dhe as punëtore. Kjo ishte diçka shumë e çuditshme. Edhe nga ana tjetër e malit s’kishte punëtorë që drejtonin skrepat që hanin tokën, ishin lajmëruar se do të vinte një grup gazetarësh të shoqëruar nga banorët e Melthit dhe duhej ndërprerë puna. Kur kalon kantierin pranë fshatit Zajs dhe del në qafën ku duket kanioni i Melthit, që aktualisht është zonë e mbrojtur e kategorisë së dytë, sheh një pamje kaq të mrekullueshme dhe të pabesueshme njëkohësisht.
Shkalla e Kolës ose Lami i Kolës. Një natyrë e ashpër si fytyrat e burrave që na shoqërojnë. Dhe pikërisht shqetësimi i kësaj natyre, plagosja, përçudnimi i saj, na pruri që të shohim nga afër se çfarë ndodh realisht aty, dhe pse jo edhe të sillnim për teleshikuesit këtë parajsë të fshehur dhe të lakmuar prej atyre që kërkojnë të bëjnë para me shpejtësi. Por sapo zbresim në një të tatëpjetë që të shpie teposhtë në luginë, ndeshemi me disa punëtorë dhe njëkohësisht banorë të zonës. Ata janë paguar shtrenjtë nga firma për të shqetësuar grupin tonë. Në fillim një burrë i shkurtër dhe djali i tij i bëjnë presion kameramanit të mos filmojë. Kërkon ti marrë kameran por nuk mundet për shkak se ne nuk jemi gjobitës dhe plangprishës. Por jemi në të drejtën e banorëve dhe kauzës së tyre.
Si mendoni dhe ju, nëse ju marrin ujin a do mundeni të jetoni? A do të pranonit tu merrnin ujin? Fluturat, milingonat, zogjtë dhe të gjitha kafshët e egër, dhia, sorkadhja, ujku, rrëqebulli, bleta, a mund të jetojnë pa ujë këto gjallesa? Kështu thonë edhe administratorët e hidrocentralit të zi, se krijesa e tyre, kuçedra e tyre prej hekuri nuk mund të jetojë dot pa ujin! Një luftë për egzistencë por me forca jo të barabarta. Jo njeriu i thjeshtë bërballë me natyrën, por njeriu i pushtetshëm, me ligjin ngarkuar në shpinë dhe më një koloni makinerish të rënda, kundër natyrës së virgjër të Zall-Gjoçajt.
Pas një gjysmë ore debat zbresim për në luginë. Kalojmë në një vend ku për mijëra vite sipas Adem Gjokolës, kryeplakut të Zall-Gjoçajt që na shoqëron, ka qenë Kroi i Kolës. Një krua i famshëm për të gjithë udhëtarët e këtyre anëve që lëviznin nga Dibra e verilindja e epërme, drejt Tiranës dhe ultësirës perëndimore. Aty në Kroin e Kolës nuk e kanë shuajtur etjen vetëm banorët e zonës, udhëtarët që në mijëra vite kanë kaluar këndej, por edhe armiqtë e shumtë që tentuan ta pushtonin këtë zonë dhe nuk u kthyen më prej nga erdhën…
Në Kroin e Kolës pinin ujë dhe shuanin edhe etjen e kuajve apo mushkave të karvanëve të tyre udhëtarët e së shkuarës. Sot kroi i Kolës është shkulur me gjithë ujë dhe është betonizuar nga inxhinierët që po ndërtojnë veprën hidroenergjitike që merr përfundimisht ujin me të cilin jetojnë mbi 15 mijë banorë të këtyre fshatrave. Zona rrezikon që me ndërtimin e kësaj vepre dhe vënies së saj në funksion të kthehet në shkretëtirë. Kjo për arsyen sepse ata s’do të lënë pikë ujë që të rrjedhë natyrshëm në këto gryka, por do ta fusin atë në tubot e kuçedrës së zezë.
Zona rrezikon sepse nuk do të ketë më shira si pasojë e prishjes së ciklit të avullimit dhe rënies natyrale të reshjeve. Prishja e kësaj proto-klime unike e përfshirë në zonë të mbrojtur, do të sjellë zinxhir pasojash dramatike për ekosistemin dhe jetën, e cila ka gjalluar aty për miliona vite. Mungesë uji, mungesë lulesh, mungesë bletësh, mbyllje të aktiviteteve të blegtorisë, shuarje dhe zhdukje të bimëve endemike dhe braktisjen e kësaj zonë nga çdo gje e gjallë, përfshirë edhe banorët. Do të dëmtojë agroturizmin dhe gjithë zinxhirin ushqimor që lidhet me frymëmarrjen dhe të ardhmen e turizmit në këtë zonë të përfshirë në Park kombëtar.
Mu në shtratin e Melthit në qendër të këtij kanioni hijerëndë nuk do të ecnim më me makina por në këmbë. Rruga për automjete aty mbaron. Jemi mbi 30 vetë që ecim në një grykë të freskët, mbi zallin e Melthit. Zall të tharë e pa ujë siç e ka cilësuar firma që po i bën folenë kuçedrës së zezë. Por ne po ecnim mbi një lumë. Poshtë këmbëve tona, me dhjetra apo qindra metër në thellësi kalon lumi. Diçka që është e vështirë të kuptohet nëse nuk do të ecësh përmes asaj lugine të lashtë. Hyjmë mes ahishtesh e dalim mandej në disa korije e zabelë të sajdisur mirë nga banorët e Melthit. Dhimitri na tregon disa gurë të çuditshëm teksa ecim në shtratin e lumit ende pa ujë. Është një varrezë e e vjetër, mbi 400 vjecare.
Ka gure të mbuluara me myshk dhe tek-tuk edhe shkrime që nuk shquhen mirë. Pikërisht mbi ato varreza do të kalojë rruga, ku firma do të montojë materialet inerte, hekurin, çimenton për të ndërtuar mandej basenin ujëmbledhës. Ndjehet pesha e rëndë e këtij dheu të banuar historikisht nga banorë vendas. Varrezat e vjetra ishin shenja e parë. Hyjmë në në tokat e bukës ku banorët e këtyre anëve mbjellin misrin, grurin. I kanë rrethuar ato me gurë e mure të lartë që dimrave të mos hyjnë kafshët e egra për tu prishur të mbjellat. Është vjeshtë dhe ajri i shëndetshëm të mbush me jetë. Thana të pjekura gjithandej.
Sapo kemi hyrë në Melth, në pragun e fshatit, diçka shëndrin nga zalli. Të jetë një mirazh apo një e vërtetë? Ujë? Ujë që rrjedh në sipërfaqen e zallit e hyn në thellësi të shtartit të tij. Kjo ishte shenja e parë që vërteton se natyra e ruan vetveten. Në periudhën e thatësirës, lumenjtë malorë hyjnë në thellësi të shtratit të tyre për të ruajtur lëngun e shtrenjtë të jetës, ujin. Është një mrekulli e inxhinierisë natyrore që mund të krahasohet me dejëzat, nervurat, kapilarët e damarët e gjakut të njeriut dhe krijesave të gjalla, që e çojnë atë drejt zemrës.
Edhe Melthi, një prej damarëve kryesor që hyn në errësirat e trupit të natyrës për të dalë mandej me kilometra të tëra në fshatrat teposhtë, në fushat e Bruçajt ku ushqen me ujë qindra mijëra banorë, toka bujqësore dhe kulturat e mbarështrimit të troftës. Ky është Zalli i Melthit që në shtratin e tij milliona vjeçar mban rrjedhën e vetme që mundëson jetën. Kalojmë mes një rrjeti kullash dy e tri katëshe prej guri. Kulla e gurit është vepra unike inxhinierike që i dallon shqiptarët nga banorët e tjerë të europës mos të themi të botës.
Nga mënyra se si ato janë ndërtuar me të gjithë elementët mbrojtës, komoditeti dhe elemëntët unikë të qosheve, mbi të gjitha këto ndërtesa tregojnë karakterin e shqiptarit. Kullat dhe lisat e Melthit vërtetojnë se në 800 vitet e fundit jeta në këtë zonë ka qenë mjaft intensive dhe banorëve të këtyre anëve u është dashur vëmendja e shtetit vetëm për votime!
Ismet Koleci ka ardhur nga Tirana këtu në Melth, si ai edhe shumë bashkëmoshatarë të tij që migruan drejt qendrave të banuara. Ismeti vuan nga diabeti dhe disa sëmundje të tjera patologjike. Ai këtu nuk ndjen asnjë shqetësim, nuk merr asnjë ilaç sepse zona është kurative. Madje thotë se nuk mban asnjë dietë, pi edhe rakinë e thanës që prodhon vetë dhe nuk ndjen asnjë shqetësim. Uji, ajri i pasur me aromën e qindra bimëve e çajërave mjekësorë, janë një kurë që edhe mjekët e rekomandojnë të parën.
Kolecajt po çmallen mendueshëm me vendlindjen e tyre. Ata janë të revoltuar sepse nëse uji nuk do të rrjedhë më përmes Melthit, nuk kanë më pse të vijnë aty. Madje qindra kokë dhish e të imtash, lopësh që po i mbarështrojnë aty nuk do kenë se ku do të pinë më ujë. Edhe mijëra kosheret e bletëve do të shpërngulen prej nga bjeshkët e ketyre anëve. Kjo zonë duket si një shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që po boshatiset nga orenditë e njerëzit përpara se të shembet. Nëse do mundesha të kisha fjalë për ta përshkruar panoramën e Melthit të Kolecajve, do të ishte me një fjalë. Melthi përngjan me fshatrat malorë zviceran. Aq e ngjashme ajo pamje dhe mos edhe më e bukur.
Pse duhet një vepër e tillë inxhinierike kur turizmi mund të ishte sektori i cili do ti jepte zonës edhe më shumë shkëlqim? Dreka që na kanë shtruar në atë ditë vjeshte në ballkonin e kullës me pamje nga ahishtja, me produktet bio të zonës dhe me dashurinë e mikpritjen e servirjes së saj, tregon se agroturizmi dhe investimi në këto fshatra të lashtë shqiptarë do të sillte më shumë të ardhura dhe zhvillim për këta banorë dhe për të gjithë Shqipërinë, sesa një përbindësh energjitik që e çon ujin vetëm në mullirin e biznesmenëve dhe qeveritarëve.
Në këtë lumë gjallon troftë të cilën nuk e ka hedhur dora e njeriut, tek ky lumë kanë pirë të vegjel e janë rritur këta burra që sot me ndjenjën e urrejtjes kthehen në vendlindjen e tyre. Sot njërëz të papërgjegjshëm po e helmojnë lumin që rrjedh nga thellësia e parkut të Lurës me naftë. Ky është një akt kriminal që po i bëhet një prej ekosistemeve më të lashta në europë dhe në botë. Po të shihni ujvarën e Zall-Gjoçajt dhe tre ujvarat e tjera sipër të parës, shpellat e thella dhe të paeksploruara, këtë pyll të dendur me ahishte mijëravjeçare ku gjallojnë kafshë të ndryshme, atëherë do tu jepni të drejtë banorëve të këtyre anëve që po kërkojnë drejtësi aty ku ka lindur padrejtësia.
Sot ujëvara e Zall-Gjoçajt do të prishet sipas parashikimeve që ka bërë firma dhe do të kthehet në një basen grumbullues për ujin i cili me anë të tubove do të merrët dhe do të kalohet përmes tunelit që është hapur enkas për këtë katastrofë. Me dhjetra protesta, seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative të Tiranës, dalje televizive dhe studime të mirëfillta shkencore për këtë ekosistem të rrallë, se pse nuk duhet të ndërtohet HEC-i i kuçedrës së zezë, dhe përsëri autoritetet shtetërore nuk marrin asnjë vendim në të mirë të qytetarëve.
Vepra hidroenergjitike ka kënaqur vetëm disa njerëz që janë edhe pronarët e kompanisë. Bashkia e matit nuk është prononcuar kurrë në lidhje me këtë çështje, dhe opozita e përfaqësuesit e saj në zonë kanë bërë disa deklarata sporadike për këtë dramë të banorëve të Melthit. Por banorët e këtyrë anëve nuk janë pyetur dhe nuk do të përfitojnë asgjë nga vjedhja e ujit të tyre. Kush do ta mbrojë tani parkun?
Rrugëtimi ynë i parë për në Melth dhe Zall-Gjoçaj solli një dokumentar i cili u transmetua në Televizionin Publik, ku pas transmetimit të tij shumë media në vend, shumë aktivistë dhe ambientalistë shkuan dhe e panë nga afër shkatërrimin që po ndodh aty. Bashkitë ku po ndërtohet kjo vepër nuk e kanë fuqinë të mbrojnë natyrën dhe shtëpitë e banorëve, ujin, më të shtrenjtin e jetës për të cilin njeriu ka luftuar për ta patur e për ta ruajtur deri në përjetësi!/Ekskluzive.al