Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik.
Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për të tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti atje, e burgosur së bashku me fëmijët në kampin Al-Hawl deri sa ndërroi jetë disa javë më parë.
Sot, pas 6 vitesh, mamaja e Endrit, Mide Ndregjoni, më në fund arriti të rishohë djalin e saj, i cili ishte pjesë e grupit prej 5 personash të rikthyer nga kampi Al-Hawl, në Siri.
Peng mbetet, gjithsesi, fakti që e bija, Eva, nuk pranoi të rikthehej, duke iu fshehur autoriteteve që ishin futur në kamp për ta kërkuar.
Skena kur e ëma e Endri Dumanit takon të birin pas 7 vjet ndarjeje e njehërësh pritjeje, pasi babai i tyrë u vra në luftë, ka qenë prekëse.
“Të ka mami zemër, Endri, o i bukuri i mamit vet, o rrushi i mamit, shihe mamin”, kanë qenë fjalët e të ëmës që përqafonte dhe puthte të birin, ndërkohë që fëmija tjetër, vajza Eva, nuk mundi të nxirret nga kampi, pasi, në një situatë ende të pasqaruar, është fshehur në çastin kur forcat e antiterrorit shqiptar kanë nisur operacionin e nxjerrjes nga Al-Holi.
Ndërkohë, mes kryeministrin Rama dhe dajës së Endrit u zhvillua kjo bisedë.
Rama: Më vjen keq që nuk e sollëm dot dhe vajzën.
Daja: Nuk di ç’të them tjetër, por je bërë engjëll për ta.
Rama: Besoj që do e sjellim dhe vajzën por është një njëçik më e komplikuar.
Daja: Kam 7 vjet që nuk jam ndalë asnjë ditë, fuqia ime deri këtu ishte.
Rama: Edhe ne nuk jemi ndalur, por nuk mund të flisnim se mund të vinim në rrezik punën. Besoj se do e sjellim dhe vajzën me ndihmën e Zotit.
Rama: E di ça më tha mua ky (i referohet Endrit). U ul aty dhe po më shihte dhe më tha “qënke plak”.
Ndërkohë, daja e Endrit, njëri prej tyre, tha se shpresonte që dhe fëmijët e tjerë të kthehen.
“Falenderojmë edhe mediat që pasqyruan kthimin e tyre nga kampi deri në Shqipëri. Një falenderim për kryeministrin dhe punonjësit. Urojmë që të rikthehen edhe fëmijët e tjerë nga ai kamp”, tha ai.
Të kthyerit e tjerë janë Floresha Rasha me tre fëmijë.
Pas kthimit në Shqipëri së bashku me 5 shqiptarët (mes të cilëve 4 fëmijë), kryeministri Rama, tregoi se si do të bëhet riintegrimi i tyre në shoqëri. “Struktura është gati për këta 4 fëmijë dhe për gjithë të tjerët që do të vijnë më pas, me mësues e psikologë. Do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale”.
“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë, do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, deklaroi Rama.
I pyetur nëse personat madhorë të riatdhesuar do të ndiqen penalisht, Rama u shpreh se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”. Kryeministri sqaroi, gjithashtu, se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”, duke lënë të kuptohet se është shumë e ndërlikuar përpjekja për largimin nga Siria të personave me kombësi shqiptare, por shtetas të vendeve të tjera.