Ilir Meta, ashtu siç kishte paralajmëruar, ka dalë në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të premte.
Ai deklaroi se do të shpallë referendum për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin.
Por, në fakt ishte i paqartë, se për çfarë do të mbahej saktësisht referendumi.
Para daljes së Metës në konferencë, Presidenca kishte deklaruar se Meta do të përgjigjej edhe për reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas sulmeve të Metës një ditë më parë, ndaj Ambasadës amerikane në Tiranë.
Por, Meta pasi ka lexuar fjalimin e përgatitur, ka bërë shqiponjën me duar e ka ikur me vrap, pa ndaluar t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Kjo, edhe për shkakun se pak para konferencës së tij, Brukseli lëshoi një deklaratë të fortë, duke i cilësuar të papërshtatshme deklaratat e tij.
Interesant është se ndërsa largohej, Ilir Meta në një moment, para se të bënte shqiponjën, nderoi edhe me përshendetjen fashiste të Musolinit.
“Jemi para një situate dramatike, ku Kushtetuta po shkelet dhunshëm. Qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt.
Nga Kuvendi janë dorëhequr 182 deputetë të opozitës. Numri 140 i deputetëve nuk plotësohet prej disa muajsh.
Kuvendi është lënë qëllimisht pa Gjykatë Kushtetuese. Qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë ku janë mbivendosur 32 mijë çështje”, tha Meta.
“Shqiptarët duhet të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës.
Kushtetuta është vija e kuqe dhe e kuqe flakë nga armiqtë e saj.
Presidenti do jetë në mbrojtje të drejtpërdrejtë.
Presidenti do të kërkojë që përmes referendumit të mbrojë Republikën.
Të vendosë nëse do të kthehet në diktaturë.
Referendumi është demokracia direkte, demokracia në veprim.
Presidenti do bëjë gjithçka që kjo e drejtë të ushtrohet lirisht”, vijoi Meta.
“Vendi është lënë qëllimisht prej dy vitesh pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, ku si pasojë janë 32 mijë çështje gjyqësore.
Ku prokurori i përgjithshëm i përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutë, u emërua për të korrur këto rezultate të mahnitshme.
Vendi po shpopullohet pa mbarim. Nuk ka më asnjë investim serioz nga SHBA, Gjermania apo Italia. Është koha t’i themi ndal”, tha më tej ai, ndërsa nuk specifikoi se për çfarë do të kërkojë referendum.
(TemA)