Nga Ilir Mborja
Presidenti Ilir Meta në Facebook-un e tij ka shpërndarë komentin e një djali, i cili thotë se votat u shumuan duke bërë seks në kutitë e votimit. Më pas na fton që ne qytetarët të gjejmë një shpjegim shkencor të shumimit të votave. Ja i plotë postimi i tij: “Të dashur miq! Duke ju uruar një të dielë sa më relaksuese e çlodhëse ju ftoj të gjithëve të gjeni një shpjegim shkencor të shumimit të votave mbi numrin e pjesëmarrësve të votimeve të 30 qershorit!”.
Për t’iu përgjigjur ftesës së tij për “një shpjegim shkencor të shumimit të votave të 30 qershorit”, mendja më shkoi menjëherë te Njuton-i dhe tek ligji i tij i enercisë që thotë: “Trupat kanë një tendencë natyrale për të ruajtur gjendjen e tyre të lëvizjes normale. Në kushtet e zakonshme ky ligj merr parasysh një mjedis të ngjashëm me mjedisin ndër-yjor ku kemi mungesë të plotë të forcave të fërkimit.”… Pra, nuk duhet harruar fakti, se në këtë ligj, Njuton-i flet për gjëra që ndodhin në “gjendje normale” e në “kushte të zakonshme”. Kush mund të thotë se 30 qershori u zhvillua në kushte normale e në një mjedis pa forca fërkimi?
Siç e ka pohuar vetë Njuton-i në veprën e tij, ky ligj është një rifrazim i ligjit të inercisë i përshkruar më parë nga Galileo Galilei… Por, po ta vrasësh pak mendjen, për rastin konkret, më shumë të vjen në ndihmë një prej eseistëve, matematikanëve dhe statistikantëve më në zë të kohës sonë Taleb* dhe këshilla e tij: “Në shkencë ju duhet të kuptoni botën; në biznes ju keni nevojë qe të tjerët ta keqkuptojnë atë.”.
Kjo këshillë e tij me fjalën “biznes” brenda (dhe po të mos harrojmë se LSI ishte qysh në fillim një ndërmarrje klienteliste që shpërndante para) atij djalit që i referohet Ilir Meta, Taleb-i mund t’i perifrazohet edhe kështu: “Në shkencë ju duhet të kuptoni botën; në politikën shqiptare LSI-ja ka nevojë që të tjerët ta keqkuptojnë atë.”.
Në librin “Inxhinieria e rrezikut” Taleb-i ka shkruar: “Mos përdorimi i modeleve të efekteve jolineare siç janë paragjykimet e konveksitetit gjatë “kryerjes së punës empirike” është sikur të shënoni në një katalog çdo mollë që bie nga një pemë dhe këtë operacion ta quajmë “empiricizëm”, në vend që të përdoret thjesht dhe vetëm ekuacioni i Njutonit”. E ka fjalën po për ekuacionin vektorial të inercisë që thotë: “Nëse në një trup me masë “m” vepron forca “f”, nxitimi është në përpjestim të drejtë me intensitetin e forcës dhe në përpjestim të zhdrejtë me masën e trupit.”.
Pikërisht ky paragraf mua më duket se shpjegon shkencërisht, mu ashtu siç na e kërkon Shkëlqesia e Tij në Shkarkim, Z. Ilir Meta nga Facebook-u i Tij, atë ç’ka u finalizua në Shqipëri me zgjedhjet e 30 qershorit. Madje, më duket sikur gjeniali Taleb e ka shkruar enkas për ata që pretendojnë për numrin e votave të shtuara paligjshmërisht nga komisionerët e PS në qendrat e votimit.
Pasi lexon këtë paragraf, me të drejtë të lind pyetja: Ç’rëndësi ka tani numri i saktë i votuesve të 30 qershorit? Ç’vlerë ka sot të shpresohet e të besohet se komisionerët e vetëm të PS në qendrat e votimit kanë qenë të imunizuar nga efekti i ligjit të Njuton-it? Duhet gjykatë kushtetuese për të vënë në dyshim ligjin e tij të inercisë?
Sidoqoftë, për të qenë edhe “shkencor”, por dhe i qartë për t’u kuptuar nga ai djali të cilit i referohet Ilir Meta, si edhe për çdokënd që ka humbur kthjelltësinë nga frika e SPAK-ut, këshillën e Taleb-it: “Situatat komplekse nuk mund të kuptohen si të ishin marrëdhënie të drejtpërdrejta dhe lineare.”, po përpiqem t’ua thjeshtëzoj duke iu kujtuar përsëri vetëm ligjin e Njutonit: “Çdo trup ruan gjendjen e të qënit në prehje ose të lëvizjes drejtvizore të njëtrajtshme, përsa kohë mbi të nuk veprojnë forca të jashtme.”…
Besoj është e tepërt t’u kujtojmë atyre që “harrojnë”, se OMN-ja nuk është forcë e brendshme dhe se pikërisht për këtë, ka kohë që ca “trupa” e kanë humbur gjendjen e të qenit në prehje të qetë…
Nëse edhe këtë nuk e kuptojnë apo e venë në dyshim, po e mbyll siç do të përgjigjej Taleb-i e Galileo Galilei bashkë: Ilir Meta ka nevojë ta keqkuptojnë. Megjithatë, SPAK-u do të krijohet…
* Profesor Nassim Nicholas Taleb është një ortodoks sirian i lindur në Liban më 1960 dhe i mërguar në Amerikë. Më parë ai ka qenë tregtar dhe analist për problemet e rastësisë, probabilitetit dhe pasigurisë së tregut. Libri i tij “The Black Swan” – (“Mjellma e zezë”) më 2007-n është përshkruar nga gazeta “The Sunday Times” si një nga dymbëdhjetë librat më me ndikim në glob që nga Lufta e Dytë Botërore.
Taleb është kryeredaktor i revistës akademike “Rreziku dhe Analiza e Vendimeve” që nga shtatori i vitit 2014. Gjithashtu, ai ka qenë praktikues i financave matematikore e menaxher i “ Fence Funds” – (Fondeve të Gardhit) dhe një tregtar derivatesh. Aktualisht, Taleb, punon edhe si këshilltar shkencor në “Investimet Universale” në SHBA.