Ish-sulmuesi i klubit të futbollit Partizani, Theofilus Solomon ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës ndryshimin e masës së sigurisë.
Ai u arrestua disa ditë më parë, ndërsa gjykata e Tiranës i ka kërkuar ish-sulmuesit një garanci pasurore.
Masa e sigurimit personal e vendosur ndaj futbollistit është “Garancia Pasurore e parashikuar nga neni 236 K.Pr.Penale në shumën 300 mijë lekë”. Sipas gjykatës, kjo garanci duhet të paguhet brenda 5 ditëve.
Deri në shlyerjen e kësaj shume, Solomon është i detyruar të qëndrojë në masën e sigurimit “arrest me burg”.
Ish-sulmuesi i Partizanit mund të dalë nga burgu në momentin e depozitimit të garancisë pasurore, por ai nuk mund të largohet nga Shqipëria deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
25-vjeçari u arrestua në 19 shkurt nga policia e Tiranës, pas denoncimit nga bashkëjetuesja e tij për dhunë fizike dhe psikologjike.