Ilir Meta duket se ka dështuar të marrë në dorë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Presidenti luftoi fort që të ikte Ardian Dvorani dhe aty erdhi Vitore Tusha, por duket se edhe kjo e fundit është e pafuqishme, ose i ka dalë nga rreshti presidenti.
Meta të martën ka dërguar një letër në KED, duke sulmuar e shantazhuar nënkryetaren e anëtarët mbi mbledhjen e djeshme. KED javën që shkoi njoftoi se do të mblidhej dje me një rend të gjatë dite, por Meta në letër kritikonte gjithë rendin e ditës. Meta dilte kundër rihapjes së garës pas skualifikimit të të gjithë kandidatëve, pasi kërkonte shpjegime mbi apelimet e tyre në gjykatë.
Po ashtu kërkonte që sa i takon vakancës së tretë të shpallur prej tij, më konkretisht atë të datës 22.11.2019, të mos bëhej shqyrtimi i pjesshëm i kandidatëve. Plani i Metës ishte që mbledhja e djeshme të dështonte, por nuk ka ndodhur kështu. KED u mblodh sipas gjithë rendit të ditës dhe nuk ndryshoi asnjë pikë pavarësisht letrës. Së pari, KED ka vendosur rihapjen e garës për në Kushtetuese për dy vende vakante nga Kuvendi e Presidenca, duke refuzuar Metën.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi gjithashtu për të njoftuar organet e emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Bëhet fjalë për vakancën e parakohshme, të rishpallur nga Presidenti i Republikës në datë 27.09.2019 dhe vakancën e parakohshme të rishpallur nga Kuvendi i Republikës në datë 21.08.2019”, thuhet aty.
Vakanca e tretë
Luftën më të madhe Meta e ka bërë për vakancën e tretë të shpallur prej tij në 22.11.2019. Aty ka kandidatë besnikë të Metës, por KED e ka ndarë procesin e vendimit për ta dhe ka lënë për në fazë të dytë disa emra. Meta kërkoi që të mos veprohet kështu. Por KED ka vijuar normalisht vendimmarrjen dje.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:
A. Lejimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese: 1. Altin Binaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019. B. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë: 1. Artan Spahiu, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.
2. Dedë Kasneci , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019. C. Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi, të kandidatit; 1. Gentian Mete , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019”, thuhet në vendim.
Mandati i Dvoranit
E vetmja pikë që KED ka qenë disi në linjë me Metën, është pika që i takon rikthimit të Ardian Dvoranit. Ky i fundit kërkoi një vendimmarrje nëse ka mandat për të qenë anëtar. KED ka vendosur të mos marrë asnjë vendim se nuk ka kompetencë. Por duket se kjo është bazuar dhe te precedenti “Arta Marku”.
Kur ajo u largua nga Prokuroria e Përgjithshme u vendos që KED nuk ka kompetencë. Por nëse i qëndrojmë kësaj logjike, përderisa nuk ka një vendim nëse Dvorani duhet të largohet, atëherë ai automatikisht mbetet anëtar. Kështu ka ndodhur me Arta Markun. Edhe pse Meta ka luftuar që ai të mbetet jashtë, fakti që për të nuk ka asnjë vendim do të thotë që ai mbetet anëtar./Kliti Topalla