Ilir Meta refuzoi të përgjigjej për deklaratat e Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes.
Kjo, edhe pse Presidenca kishte njoftuar që ai do të përgjigjej edhe për deklaratat e DASH.
Meta në fakt, lexoi një deklaratë dhe u largua me nxitim.
Vetëm në vonë, ai ka lëshuar një reagim nëpërmjet Facebook-ut të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson maksimalisht deklaratën e sotme të Departamentit të Shtetit të SHBA.
Presidenti Meta përshëndet qëndrimin e DASH se: “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.
Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e Tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH dhe SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias.
Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer.
Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Blushi.(TemA)