Ministrja Ogerta Manastirliu po merr pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë që po zhvillohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, ku prezantoi rezultatet e Forumit Rajonal të UNECE-s mbi Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
New York, 17 Korrik – “Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për të çuar përpara reformat për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Politik të Nivelit të Lartë që po zhvillohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Manastirliu shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për konsolidimin e reformave për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG) dhe Agjendën 2030, si pjesë e pandarë e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për integrimin europian.
“Vendosja e shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe sigurimi i aksesit në drejtësi për këdo, janë në fokus të reformës në drejtësi që po ndërmerr qeveria shqiptare”, tha në fjalën e saj ministrja Manastirliu.
Ajo u ndal gjithashtu tek sfidat e qeverisë shqiptare për të vijuar rritjen ekonomike të vendit përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Duke theksuar rolin e rëndësishëm të arsimimit për gjeneratat e ardhshme, Manastirliu tha se 25 fakultete dhe universitete publike dhe private në Shqipëri kanë nënshkruar marrëveshjen për t’u angazhuar për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.
Manastirliu konfirmoi gjatë fjalës së saj në Forumin e Nivelit të Lartë Politik në OKB angazhimin e qeverisë shqiptare për zbatimin e marrëveshjes së Parisit mbi ndyshimet klimaterike.
Më herët, gjatë sesionit të panelit të Ministrave mbi raportimin e rajoneve për implementimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Manastirliu prezantoi gjetjet e Forumit Rajonal të mbajtur në Gjenevë, në cilësinë e Kreut të Forumit Rajonal të UNECE-s.
Gjatë Forumit të Nivelit të Lartë Politik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara u kërkua më shumë angazhim nga qeveritë për përmbushjen e objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, nëpërmjet fuqizimit, gjithëpërfshirjes dhe barazisë sociale.