Dalin në dritë shifrat zyrtare sa i takon batërdisë së Fondit Besa me kreditimet. Pak javë më parë u arrestuan 7 punonjëse, të cilat rrisnin fiktivisht kreditë dhe përmes kësaj skeme përfituan 3.7 milionë euro. Disa prej tyre u liruan nga gjykata e disa të tjera janë në burg. Gazeta ka bërë një krahasim të raporteve të Fondit Besa për 4 vite, vitin 2014, 2015, 2016, dhe 2017, sa i takon nivelit të kreditimit.
Drejtori i fondit, Bajram Lamaj, në raportin e vitit 2017 deklaron se kreditimi është rritur me 21 për qind, krahasuar me një vit më parë. “Gjithashtu, portofoli i kredisë shënon rritje prej 21% në krahasim me vitin 2016, në vlerën 8.47 miliardë lekë. Me një numër në total 30,590 klientë, Fondi Besa renditet ndër institucionet më të mëdhenj mikrofinanciar në vend, çka tregon edhe një herë se suksesi afatgjatë përfundimisht varet nga aftësia për të frymëzuar besimin tek klientët, të cilët shohin tek Fondi Besa partnerin e tyre të përzgjedhur”, thuhet në raport. Por fakti që kemi një rast të hetuar nga prokuroria për mashtrim, ngre dyshimet nëse kjo shifër është apo jo reale. Për këtë duhet të shohim vitet e tjera. Në raportin e vitit 2016, thuhet e krahasuar me vitin 2015 ka pasur një rritje prej rreth 10%. “Fondi BESA vazhdoi të ishte zgjedhja e parë për 19,275 klientë që përfituan kredi gjatë vitit 2016, me një vlerë totale prej 6.1 miliardë lekë ose 10.6% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë vitit 2016, rritja e përgjithshme e portofolit të kredisë ishte 10.7%”, thuhet aty. Në vitin 2015 kjo shifër është akoma dhe më e vogël. “Në vitin 2015, Fondi BESA disburësoi 19,549 kredi, ose 7.93% më shumë se në vitin 2014, me vlerë totale prej 5.5 miliardë Lekë, ose 8,35% më shumë se në vitin 2014”, thuhet aty. Nëse kalojmë në vitin 2014, sipas raportit, kreditimi krahasuar me 2013 ka pasur rritje 6.9%.
Pikëpyetjet
Nga të gjitha këto shifra lindin një sërë pyetjesh. Nëse shihet, nga viti në vit kreditimi rritet. Fondi Besa në asnjë moment nuk pëson humbjen, por vetëm rrit fitimet ndjeshëm. Nga 6.9% në 2014, fitimet në 2017 gati u dyfishuan. Në 2014 janë dhënë 5 miliardë lekë kredi, ndërsa në 2017 rreth 9 miliardë. Por ajo që bie në sy është se në 2017 kemi një rritje me 21 për qind krahasuar me 2016. Atëherë këtu ka 3 hipoteza. Së pari, Fondi Besa i bie të jetë shumë i zoti dhe falë mundësive që ofron, preferohet nga klientët. Hipoteza e dytë është që Fondi Besa vijon të ketë mbështetje të fuqishme nga institucionet. Dhe e treta është se ndoshta në këtë listë përfshihen dhe ato kredi fiktive. Administratorja e filialit ku plasi skandali kishte 15 vite që punonte aty dhe askush nuk jep siguri se mashtrimi nuk ka ndodhur dhe kohë më parë. Megjithatë këto mbeten hipoteza. Faktet tregojnë se kreditimi është rritur në mënyrë të frikshme nga viti në vit dhe kjo tregon se sa mbështetje ka fondi në fjalë. Në vend operojnë mbi 30 institucione mikrokredie. Vetëm Guvernatori Gent Sejko ka dhënë me dhjetra licenca, ndërsa të njëjtën gjë bëri dhe Fullani. Ky i fundit ishte dhe ai që përmes manovrave i dha licencën Fondit Besa. Banka e Shqipërisë duhet të jetë institucioni që duhet të bëjë monitorimin e bankave dhe të gjitha institucioneve financiare jo banka. Por mashtrimi që ndodhi në këtë fond tregoi se Gent Sejko vetëm fle gjumë dhe nuk bën asgjë tjetër. Kështu bëri dhe me falimentimin e Veneto Banka.
Kliti Topalli