Presidenti Ilir Meta ka tentuar të bëjë transparencë sa i takon shpenzimeve të tij për udhëtime jashtë vendit. Pasi plasi skandali me ministren e Drejtësisë, presidenti ka dashur të duket se nuk ka shpenzuar shumë, duke deklaruar vetë shifrat e shpenzimeve për bileta avionësh dhe dieta.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, nga marrja e detyrës në 24 korrik 2017, deri në gusht të vitit 2019 ka realizuar: 59 vizita shtetërore, zyrtare dhe pune jashtë vendit, nga të cilat 36 prej tyre me avion. Nga 36 udhëtimet me avion, Presidenti Meta nuk ka udhëtuar asnjëherë me First Class apo Charter. Presidenti ka udhëtuar kryesisht me Business Class (26 udhëtime), por edhe me Economic Class (10 udhëtime), vlera e të cilave në vite është si më poshtë: Për vitin 2017: 7156 euro (bileta avioni); Për vitin 2018: 24384 euro (bileta avioni); Për vitin 2019: 24217 euro (bileta avioni). Udhëtimi kryesisht në Business Class është zgjedhur si mundësi për udhëtim të sigurt, që garanton fleksibilitetin e ndryshimeve të itinerareve të udhëtimit për shkak të axhendës, pa paguar kosto shtesë, si dhe ka garanci të plotë në transferimin e bagazheve”, ka njoftuar Presidenca. Sipas saj, gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019, Presidenti i Republikës ka qëndruar në total 141 ditë jashtë vendit. Po ashtu thuhet se vlera totale e trajtimit financiar me dietë, të përfituara për 141 ditët e qëndrimit jashtë vendit ka qenë në vlerat: 12600 euro dhe 4260 USD.
Shifrat reale
Por edhe pse presidenti ka dashur të tregojë se nuk shpenzon shumë, duket se ka tentuar t’u hedhë hi syve shqiptarëve. Gazeta pak ditë më parë tregoi me shifra se sa ka shpenzuar Meta dhe stafi i tij gjatë dy viteve për udhëtime jashtë vendit. Shifrat janë nga transaksionet në degën e Thesarit dhe janë 100% të sakta. Të gjithë e mbajmë mend se si gjatë 2018 dhe 3-4 muajt e parë të këtij viti, presidenti Ilir Meta nuk ndodhej në vend. Momentalisht ai ka filluar të udhëtojë nëpër malet shqiptare, por disa muaj më parë udhëtoi në dhjetra shtete të botës, madje, deri në Egjipt. Sipas të dhënave të “Open Data”, që kur Meta ka marrë detyrën, pra në vjeshtën e 2017 e deri më sot, janë shpenzuar nga Presidenca për udhëtim jashtë vendit 53,573,787 lekë të reja, ose rreth 540 milionë lekë të vjetra. Bëhet fjalë për 77 transaksione udhëtimi në vende të ndryshme të botës. Por numri më i lartë është për vitin 2018 dhe 2019. Në 2018 janë realizuar 44 transaksione thesari për bileta e likuidime kartash VISA, me vlerë totale 33,025,507 lekë. Ndërsa gjatë vitit aktual kemi 24 transaksione thesari, me vlerë 17,657,934 lekë. Nëse shohim të dhënat e qeverisë, rezulton se për vitin 2019 janë kryer 15 transaksione me vlerë 11,282,896 lekë. Ndërsa për vitin 2018 janë kryer 33 transaksione thesari me vlerë 28,100,650 lekë. Pra duket qartë se Presidenca ja kalon dhe qeverisë në këtë aspekt. Është e qartë se udhëtimet e pushtetarëve jashtë vendit nuk bëhen nga xhepat e tyre, por janë taksat e qytetarëve që i mbulojnë. Janë shpenzuar në 4 vite plot 30 miliardë lekë. Shpenzimet janë shumë herë më të shumta sesa pretendon presidenti. /Kliti Topalli