Mazhoranca qeverisëse ka miratuar dje projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, duke iu prerë shpresat deputetëve dhe ministrave që të fshihen pas imunitetit. Pak kohë më parë kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla propozoi që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve, kur kërkon arrestimin për një deputet.
Por ditën e djeshme socialistët jo vetëm që janë tërhequr nga ky propozim, por me shumicë votash kanë votuar në Komisionin e Ligjeve rregulloren e re, e cila i lë deputetët dhe anëtarët e kabinetit qeveritar pa imunitet, duke hapur rrugën për arrestimin e tyre. Sipas ndryshimeve të fundit, prokuroria nuk ka nevojë për të dorëzuar prova në rast se kërkon arrestimin e një deputeti apo ministri. Kjo do të thotë se SPAK i ka dyert e hapura për të nisur arrestimet në politikë. Ndërkohë, lidhur me pikën që lidhet me imunitetin e deputetëve, relatorja Vasilika Hysi sqaroi se ndryshimet nuk synojnë rikthimin e imunitetit te deputetët. Neni 18 parashikon që për caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg, ose në shtëpi, për kontrollin e deputetit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga deputeti.
Ja procedurat për sigurinë në Kuvend
Ndryshime u bënë dhe sa i përket shërbimit të sigurisë në Kuvend. Kështu, në rregulloren e re të Kuvendit presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, prokurori dhe ambasadorët përjashtohen nga kontrolli fizik. Ndërkohë që, referuar rregullores së re të Kuvendit masa disiplinore do vendosen edhe për deputetët të cilët lobojnë në Kuvend dhe pranojnë dhurata. Po ashtu, një vëmendje të veçantë në rregulloren e re të Kuvendit i është kushtuar edhe fjalimeve të deputetëve dhe kohëzgjatjes së tyre. Fino ka propozuar që deputetët dhe ministrat të flasin vetëm për ligjet e veçanta dhe jo për çështje që nuk bëjnë pjesë në rendin e ditës. “Për ligje të veçanta duhet të flasim për to dhe jo për politikën e ditës. Duhet ta vëmë këtë disiplinë. Shumë mirë që e bëmë 10 minuta”, deklaroi ai. Ndërkohë që, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi kërkoi që kryetari i Kuvendit t’i mbyllë fjalën deputetit nëse ai del nga rendi i ditës. “Drejtuesi i seancës mund të ndërpresë fjalën kur diskutuesi flet për çështje që nuk janë në rend dite”, deklaroi Hysi. Propozime të cilat u reflektuan në Rregulloren e re të Kuvendit. Ky projektvendim do të kalojë në seancën e ardhshme plenare për tu miratuar.
Debate në komision
Por mbledhja e Komisionit të Ligjeve nisi me debate, pasi deputeti i dalë nga listat e PD-së dhe njëherësh kreu i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi kërkoi që të njihej edhe me propozimet e opozitës. “Do kërkoja nëse deputetët e opozitës kanë bërë propozime, ne të njiheshim me ato”, deklaroi ai. Por përgjigjen deputeti Alimadhi e mori nga deputetët e mazhorancës, Bashkim Fino, Vasilika Hysi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Sipas tyre, deputetët e rinj i kanë pasur propozimet në tryezë prej kohësh, ndërsa shumica e tyre janë propozime nga opozita tashmë jo parlamentare, konkretisht nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj. “Ka 2 vjet që punohet, një pjesë e mirë e propozimeve janë të Alibeajt. Nuk mund të vijnë deputetët e rinj në mbledhjen e fundit të rregullores te kërkojnë nisjen nga fillimi. Keni 6 muaj që keni ardhur, materialet këtu i keni pasur”, deklaroi Fino. Më pas, kërkesa e tij është rrëzuar nga deputetët e PS, duke bërë që Alimadhi të braktiste mbledhjen./ Rigels Seliman