Presidenti Ilir Meta duket se ka gjetur aleatë të fortë në luftën që ka nisur ndaj reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve. Në çdo dalje ai sulmon reformën e realizuar nga SHBA e BE dhe po ashtu nuk ndal kritikat ndaj ambasadorëve. Si për çudi çdo deklaratë e tij dhe postim në rrjete sociale gjen pasqyrim në mediat ruse. Gazeta tregoi pak ditë më parë se si disa portale ishin shqetësuar për shkarkimin e presidentit dhe sulmonin qeverinë, ndërsa një prej tyre duket se është më i flaktë në mbështetjen që i jep Metës.
Bëhet fjalë për portalin “regnum.ru”, i cili shkruan për çdo gjë që bën Presidenti. Ky portal ka bërë një shkrim për postimin që bëri Meta në rrjetet sociale për atë që ai e quan ramareformë. “Në llogarinë e tij në mediat sociale, Meta dha një përshkrim të hollësishëm të mekanizmit me të cilin Kryeministri Edi Rama ka bllokuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Sipas Metës, në 2017, kryeministri shqiptar kërcënoi haptazi anëtarët e sapozgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organ përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sipas Kushtetutës së vendit, duke deklaruar se gjysma e tyre ishin të përfshirë në korrupsion (videon me këto deklarata të Ramës, Meta e ka bashkangjitur në postimin e tij)”, thuhet në artikull. Edhe pse shkrimi i Metës ishte jashtëzakonisht i gjatë, media ruse ka kapur sulmet e tij ndaj amerikanëve. “Presidenti i Shqipërisë rikujtoi se për shkak të sulmeve të socialistëve ndaj anëtarëve të Këshillit, ish-ambasadori i SHBA Donald Lu kritikoi ashpër anëtarët e KED, por më vonë ai pranoi se kishte gabuar në deklaratat e tij dhe se ishte keqinformuar nga mbështetësit e kryeministrit”, thuhet më tej. Meta prej kohësh ka nisur një luftë ndaj amerikanëve. Edhe sulmet e tij ndaj reformës në drejtësi bëhen ndaj SHBA-BE, pasi e gjithë reforma u bë falë tyre. Fakti që rusët mbështesin deklaratat e Metës si në sulmet ndaj reformës ashtu dhe ndaj ambasadorëve, tregon qartë se era ruse fryn mbi Presidencë. Në fund artikulli mbyllet me deklaratën se Kushtetuesja u bllokua për shkak se kryeministri nuk donte rrëzimin e veprimeve të tij antikushtetuese.
Loja e Metës
Presidenti ka nisur një sulm të paparë ndaj reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve. Edhe pse reforma ka 3 vite që është miratuar, Presidenti tani e ka gjetur kohën për të lëshuar sulme dhe akuza ndaj saj. Por Meta ka marrë përgjigje shumë të forta nga SHBA. Më i fundit ishte Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, i cili në një takim me ministrin në detyrë Gent Cakaj, deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”, tha Cakaj. Pra, duket qartë se kemi një luftë mes Metës dhe amerikanëve. Plani i presidentit ishte që ta nxjerrë Reformën në Drejtësi si një projekt të Soros dhe jo të amerikanëve. Dihet rivaliteti mes presidentit Donald Trump dhe Soros. Presidenti Meta mendoi se do fitonte simpatinë e administratës së Trump me këtë lëvizje, por duket se ka dështuar. Si Matthew Palmer ashtu dhe Reeker i kanë dalë hapur, të cilët janë po përfaqësues të administratës së Trump.
Kliti Topalli