Ministrja Lindita Nikolla dha lajmin e mirë për reformën e mësuesisë duke theksuar se është renditur e treta në preferencat e maturantëve këtë vit. Mësuesia theksoi drejtuesja e arsimit, jo vetëm që është ndër më të preferuarat por ka studentë këtë vit me mesatare të lartë të cilët do të bëjnë ndryshimin cilësor në sistemin arsimor.
“Një lajm i mirë sot për të thënë që ajo që ne shpallëm si prioritet dhe duke thënë se mësuesia është prioriteti kombëtar i kësaj qeverie filloi të japi frytet e veta në informacionet që kemi marrë të përgjithësuar sepse është një proces që edhe disa ditë do që të përmbyllet ai i regjistrimit në universitet. Reforma ka filluar të japë rezultate. Mësuesia nga një fushë që renditej shumë më poshtë në kërkesat e studentëve, sot në momentin që flasim renditet e treta. Pra ekonomia, shkencat sociale, mësuesia, pastaj vjen infermieria e pastaj juridiku. Nuk ka qenë kurrë më parë kështu dhe besoj se kjo është një gjë shumë e mirë për të thënë edhe më shumë për t’i dhënë edhe më shumë fokus punës sonë dhe nga ana tjetër krahas kësaj ne kemi edhe një moment që, unë e di besoj se dukem si shumë optimiste, por është historike sepse mësuesia ishte zgjedhja e fundit e maturantëve më të dobët. Sot të gjithë të regjistruarit në programet e mësuesisë kanë të gjithë notën mesatare mbi 7-të” – deklaroi Nikolla.