Presidenti ka nisur dje një luftë me Kuvendin dhe KED. Në letrën e tij Meta sulmon hapur Ruçin, Komisionin e Ligjeve dhe kreun e KED, Arjan Dvorani. “Nga gjithë informacioni i administruar, rezulton se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet – President i Republikës dhe Kuvend – i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21.09.2019 ku, madje dhe numërtimi i vendimeve është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit. Ndërkohë, në aktet e dërguara pranë Institucionit të Presidentit të Republikës nuk paraqitet asnjë e dhënë që të shpjegojë arsyet e dërgimit të të dy listave njëherazi apo shkaqet e vonesës së dërgimit të dy listave njëherazi me një javë diferencë pranë Kuvendit.
Ky veprim administrativ i KED-së nuk respekton as kohën e përpilimit të listave (listat janë miratuar brenda të njëjtës ditë), as radhën e miratimit të tyre (lista e parë e miratuar është e Presidentit, lista e dytë është e Kuvendit, lista e tretë është e Presidentit dhe lista e katërt është e Kuvendit) dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e vendeve vakante”, thuhet në letër.
Po ashtu Meta sulmon dhe Kuvendin, duke kërkuar koordinim me të. “Pa një bashkëpunim midis organeve të përfshira në procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese (KED-President-KED-Kuvend), ky proces nuk mund të përmbyllet në përputhje me nenin 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës si dhe parimeve të hartuara nga jurisprudenca e vetë Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej. Presidenti po ashtu ka kërkuar nga KED që t’i dorëzojë dosjen e plotë me dokumentet që kanë dorëzuar kandidatët.