Bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese brenda vitit duket se është një mision tepër i vështirë. Edhe pse ndërkombëtarët po kërkojnë që KED të mbyllë procesin deri në dhjetor, sipas burimeve të gazetës, duket mision i pamundur.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pak ditë më parë shqyrtoi vakancën e datës 22.11.2020, ku kualifikoi dy emra për t’i dërguar te presidenti, Altin Binaj e Sonila Bejtja. Por gazeta ka mësuar se për këtë vakancë gara do të hapet sërish. Kushtetuta e ligji e kanë të përcaktuar që KED duhet të dërgojë te institucionet e emërtesës 3 emra dhe Kuvendi,
Gjykata e Lartë apo Presidenca duhet të zgjedhin një prej tyre për secilën vakancë. “Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.
Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar”, thuhet në ligj.
Për këtë arsye, gazeta ka mësuar nga KED se pritet që t’i kërkojë Presidentit rihapjen e garës. Arsyeja e vonesave është se po pritet kalimi i afatit për ankimimet në Gjykatën Administrative të Apelit. Nëse ka ankimime do të pritet vendimi i saj dhe nëse jo, atëherë KED do kërkojë rinisjen e punës nga zeroja.
Pazaret
Sa i takon kësaj vakance, gazeta ka mësuar se po tentohen dhe pazare në prapaskenë. Palët kanë tentuar të shmangin ligjin duke rënë dakord që të mos dërgohen nga 3 emra te institucionet e emërtesës duke i dhënë kështu më shumë shpejtësi procesit. Por ndërkombëtarët kanë ndërhyrë dhe e kanë rrëzuar këtë ide, plus që dhe disa anëtarë të KED kanë dalë kundër. Kushtetuesja do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 3 i propozon Kuvendi, 3 Presidenca dhe 3 Gjykata e Lartë. Momentalisht në gjykatë kemi 3 anëtarë me mandat të plotë (përfshirë Marsida Xhaferllarin) dhe Vitore Tushën me mandat të përfunduar. KED ka momentalisht dy vakanca në dorë. Pak ditë më parë u morën kandidatët nga Presidenca e Kuvendi dhe ka nisur verifikimi. Ndërkohë që pritet dhe hapja e garës për vakancën tjetër të Metës. Por ditët e fundit është denoncuar në media se KED ka kualifikuar një emër që është treguar hapur pranë presidentit, ndërkohë që janë anashkaluar dhe procedurat ligjore.
BE dhe SHBA kanë kërkuar që Kushtetuesja të bëhet funksionale, por edhe nëse KED e mbyll procesin dhe emërohen 2 anëtarë të tjerë, nuk ka asnjë garanci për funksionimin e gjykatës. Sipas ligjit, që të merret një vendim duhen minimalisht 5 vota pro. Pra duhet që nga 6 anëtarë vetëm një të dalë kundër ndërsa të tjerët të jenë në një mendje. Skema me 6 anëtarë duket se sërish nuk zgjidh gjë.
Edhe juristët shprehen skeptikë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Për juristin Sokol Hazizaj është politika që po e mban peng këtë gjykatë. “Nuk duhet të harroni se Gjykata Kushtetuese është edhe gjykatë ligji edhe gjykatë politike. Në kuptimin formal. Dhe sa kohë politika nuk e ka gjetur vendin e vet, terreni e duhur edhe Gjykata Kushtetuese do jetë pjesë e këtij konflikti.
Në themel ne e kemi një gjykatë. President, mazhorancë dhe liderin e opozitës. Derisa këta janë vetë Gjykatë Kushtetuese nuk ka pse të krijohet Gjykata Kushtetuese”, tha ai dje në një televizion.