Presidenti Ilir Meta është hedhur dje në sulm për të destabilizuar vendin dhe shkatërruar procesin zgjedhor. Goditjet e vazhdueshme ndaj LSI dhe skenarët se kjo parti mund të shuhet kanë nxjerrë nga vetja kreun e shtetit, i cili dje u rrah me policët e Bashkisë së Tiranës. Por pas kësaj lëvizje duket se është një plan tjetër.
Edhe pse FRD është një parti e djathtë dhe që në një farë mënyre doli nga PD, ajo u mor në mbrojtje nga Meta dhe të gjithë militant e LSI. Sipas burimeve, dje në darkë presidenti ka urdhëruar përfaqësuesit e FRD që të mos e lëshojnë godinën, ndërsa ka dërguar një grup nga militantët e LSI të cilët kanë qëndruar atje dhe nuk do të lëvizin derisa të tërhiqet bashkia.
Madje gazeta ka mësuar se po diskutohet ideja e një greve urie, por do të shihet në ditët në vijim. Plani i presidentit duket se është të krijojë një skenar para zgjedhjeve se këtu qeveria po trukon rezultatin, po bën presion dhe shantazhe ndaj rivalëve.
Sjellja dje e Metës ka bërë jehonë ndërkombëtare dhe plani i tij duket se ka qenë pikërisht ky, që tu çojë mesazh të huajve se po tentohet vjedhja e zgjedhjeve. Po ashtu kjo situatë mund të shërbejë për të çuar vendin në destabilizim dhe me këtë lëvizje mund të shpëtojë dhe LSI.
Angazhimi i LSI
Por pak orë pas përplasjes së presidentit Ilir Meta me efektivët e policisë bashkiake, të cilët i nxori jashtë nga zyra e Frymës së Re Demokratike, para ambienteve të kësaj selie ka mbërritur edhe djali i presidentit. Djali i këtij të fundit, Besar Meta, është parë së bashku me disa simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nënkryetarin e kësaj partie, Petrit Vasili para selisë së FRD-së, duke mbështetur siç duket edhe kauzën e kreut të shtetit, por edhe të mamasë së tij.
Pra, përmes kësaj lëvizje, presidenti Meta ka vendosur që të mobilizojë jo vetëm ish-partinë e tij, të cilën aktualisht e drejton bashkëshortja e tij Kryemadhi, por edhe familjen në mbrojtje të Frymës së Re Demokratike, duke shkaktuar rrëmuja dhe i dërguar kështu edhe një mesazh të fortë kundërshtarit të tij kryeministrit Edi Rama se ai është aty dhe se nuk ka njeri që e tremb.
Nga ana tjetër edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili shkoi dje në mesditë në mbështetje të Sali Shehut në ambientet e partisë Fryma e Re Demokratike për t’u solidarizuar me të pas përplasjes me policinë. Duke folur para mediave, Vasili theksoi se bashkia nuk ka ndjekur asnjë rregull ligjor ndërsa e quajti Erion Veliajn një pis bashkiak dhe të pamoralshëm.
“Kuptoni kush është shteti i Rilindjes. Shihni shkresën, është pa emër, pa mbiemër, vetëm pisa bashkiakë. Vetëm këta mund të duan të instalojnë një shtet të tillë, nuk fshihen dot nga humbja. Këtu janë liritë e cenuara, të prekura, një liri e palëvizshme.
Këtyre lirive iu bëjmë të gjithë mbrojtjen. S’ka pis bashkiak, me Mickey Mouse pa mickey mouse, mi vrimash që t’i marrë. Nuk ia falim këtyre fëlliqësirave. Jemi të gjithë bashkë, LSI, PD, FRD. Çdo parti. Nuk na dhunojnë dot këta maskarenj dhe imoralë”, deklaroi ai.
Kërkesa e bashkisë
Por si ndodhi ngjarja? Në selinë e drejtuar nga Sali Shehu ka mbërritur një letër ku kërkohej që godina të lirohej sepse marrëveshja me bashkinë ka mbaruar dhe brenda 10 ditëve godina duhet të lirohej. Një shkresë e ngjashme ka shkuar dhe për disa parti të tjera.
Bashkia pretendon se godina është në pronësi të saj dhe FRD nuk mund të përfitojë seli nga pushteti vendor sepse nuk plotëson kriterin ligjor. Kjo ka shkaktuar tensionoje pasi polica bashkiake ka bllokuar hyrjen e saj qendrore. Anëtarët e FRD, kreu i saj dhe militantë nuk kanë pranuar të dalin nga godina dhe janë ngujuar atje. Më pas shkoi dhe presidenti ku pati dhe konfrontime./Rigels Seliman