Presidenti francez Emanuel Makron pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e ardhshëm. Lajmi është bërë dje me dije nga disa media maqedonase, por edhe nga ato shqiptare. Ndërkohë, ajo që e vërteton se presidenti Makron pritet të vizitojë këto dy vende është komenti i tij publik, pas bllokimit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, i cili u shpreh se do të takohet me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev për të folur për reformat dhe hapat që duhet të bëjnë këto vende.
Me vizitën e tij Makron duket se ka për qëllim t’u dëshmojë Shqipërisë dhe Maqedonisë se perspektiva evropiane të këtyre vendeve është e hapur dhe Franca do t’i ndihmojë për të arritur këtë objektiv. Nga ana tjetër, një burim diplomatik në Tiranë është shprehur për një media tjetër se ende nuk ka detaje për këtë vizitë, pasi ajo është vendosur së fundmi dhe mbetet ende një premtim në parim. Burimi diplomatik konfirmoi për medien në fjalë se si shenjë të mbështetjes së Francës për Shqipërinë, Presidenti Makron ka vendosur hapjen në Tiranë të zyrës të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të zbatojë ndihmën e Francës për projekte zhvillimi në Shqipëri. Me gjasa, ky hap mund të shënojë rritje të ndihmës franceze, e cila deri tani nuk ka qenë donator i rëndësishëm i Shqipërisë. Kujtojmë që presidenti i Francës, Emanuel Makron kishte planifikuar ta vizitonte Shqipërinë fillimisht në vjeshtën e vitit 2018, në një turne Ballkanik, por ky turne u anulua.
Megjithatë, Makron vizitoi Serbinë më 16 korrik, pas anulimit të Samitit të Parisit në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë. Edhe këtë herë ai zgjodhi të shmangte Shqipërinë. Duket se reagimi kritik i shumë vendeve evropiane për veton praktike franceze ndaj Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut e ka nxitur Makronin që më në fund t’i vizitojë të dy vendet. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe nëse kjo vizitë do të bëhet realitet apo jo.