Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim sulmuan dje shumë ashpër Përfaqësuesen e Lartë për Zgjerimin në BE, Federica Mogherini. Pas konferencës së kësaj të fundit, ku renditi të gjitha arritjet e Shqipërisë, erdhën edhe reagimet e para nga opozita.
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, përmes një postimi në rrjetet sociale akuzoi Mogherinin se po flet me fakte imagjinare për gjendjen në Shqipëri dhe jo për të situatën reale.
“Mogerini në ikje i bën qokën e fundit Edi Ramës! Federica Mogerini në ikje, flet për një Shqipëri që nuk ekziston. Ajo habiti për keq shqiptarët duke dhënë fakte imagjinare në vend të të vërtetave që ata i njohin mirë. Është e vërtetë se 63% e shqiptarëve nuk e mbështesin reformën në drejtësi dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogerini se 80% e shqiptarëve mbështesin atë.
Është e vërtetë që reforma në drejtësi është dështim i plote, Shqipëria është pa drejtësi, pa Gjykatë Kushtetuese dhe të Lartë, me veting me dy standarde dhe me një KLGJ dhe KLP kur njerëz pa integritet deri dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit janë pjesë e tyre dhe nuk është aspak e vërtetë ajo që thotë Mogherini se ajo është një histori suksesi për tu marrë shembull”, tha Petrit Vasili. Sipas tij,
Mogherini po harron parimet e Evropës për t’i bërë qokën e fundit qeverisë. “Mogherini mbylli sot sytë edhe përpara raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Parimet e Evropës së Bashkuar kanë në themel zgjedhjet e lira e të ndershme, transparencën, demokracinë funksionuese, shtetin e së drejtës, barazinë përpara ligjit, luftën pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit ku qeveria ka dështuar në të gjitha.
Me sa duket Mogherini në ikje e sipër i harroi rrugës këto parime të mëdha të Evropës që aspirojnë shqiptarët, por që nuk ka aspak të bëjë me atë që thotë Mogherini në alibinë për qeverinë e kapur të Edi Ramës. Gjynah. Mogherini qe një kohë e humbur kot për shqiptarët”, u shpreh Vasili. I ashpër me Federica Mogherinin u treguar edhe ish-deputeti i PD, Edi Paloka. Edhe sipas tij, ajo i bëri nderin e fundit qeverisë.
“Sapo pashë një konferencë të çuditshme për mediat. Negociatat nuk hapen. Por… Në vend që të betohej ai se i kishte kryer detyrat, betohej ajo se kishte shlyer “detyrimet”, deklaroi Edi Paloka.