Ndonëse opozita dhe presidenti Ilir Meta janë skeptikë mbi vendimin e tetorit sa i takon negociatave me Shqipërinë, shanset për një përgjigje pozitive po rriten. Zgjedhjet kaluan pa incidente dhe reforma në drejtësi po avancon. Përparimet e Shqipërisë i ka vlerësuar dhe Parlamenti Europian. Kryetarja e grupit të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian Iratxe Garcia, i ka dërguar një letër kandidates për kreun e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila njihet dhe si e besuara e Angela Merkel.
Në letër kërkohet që në tetor të ketë vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Votimi për kandidaturën e von der Leyen do të zhvillohet më 16 korrik dhe ajo do të ketë nevojë për mbështetjen e socialistëve dhe demokratëve, si dhe atyre të qendrës në mënyrë që të zgjidhet si pasuesja e Jean-Claude Juncker. Një ndër kushtet që socialistët i ka vënë është dhe integrimi i Ballkanit. Në letër kërkohet që të mos ketë vonesa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mbi zgjedhjet e 16 korrikut ka shkruar një artikull dhe “Deutsche Welle”, ku flitet mbi skepticizmin e socialdemokratëve. Gjermanët janë një popull i çuditshëm. Vërtet anëtarët e Komisionit Europian me rregullore janë të pavarur nga këshillat që vijnë nga vendet e tyre, por natyrisht, çdo vend e sheh si sukses, nëse dikush merr ndonjë post të rëndësishëm. Por jo kështu gjermanët: Që nga dita, kur Ursula von der Leyen u propozua nga krerët e shteteve dhe qeverive si presidente e Komisionit Europian, në vend fillojnë ankimet e përgojimet. Në krye të kritikëve qëndrojnë kësaj here socialdemokratët, kjo çoi edhe në një situatë absurde në votimin vendimtar në samitin e BE-së , kur 27 nga 28 krerët e BE votuan, por pikërisht Merkel duhej të abstenonte – SPD, partneri i saj i koalicionit në Berlin e kërkoi këtë. Tradhtimi i votës së zgjedhësve? Jo, shokët socialdemokratë nuk kanë asgjë kundër, që pas 50 vjetësh më në fund dikush nga Gjermania të ngjitet në krye të Komisionit Europian. E natyrisht që ata nuk e kritikojnë faktin, që për herë të parë një grua ngjitet në këtë post. SPD është e zemëruar, për tradhtinë që iu bë parimit të kandidatit kryesor në zgjedhjet europiane.
Ursula von der Leyen nuk ka kandiduar për postin e presidentes së Komisionit Europian e prandaj, sipas kësaj logjike, nuk duhet të bëhet presidente e KE. Kjo nuk gjendet gjëkundi në marrëveshjet e BE, por u praktikua kështu para 5 vjetësh, dhe në Gjermani u kuptua si pretendim i përhershëm. Socialdemokratëve i ka shpëtuar, se simpatia për konceptin e kandidatit kryesor në zgjedhjet europiane përveç Gjermanisë nuk ishte shumë e përhapur në vende të tjera. Për shkak të mungesës së njohurive gjuhësore, kandidatët kryesorë në Poloni, Itali, Spanjë nuk ishin aspak prezent, krahasuar me vendin e socialdemokracisë. Kjo jo vetëm në fushatën e fundit zgjedhore, por edhe në vitin 2014. Gjermanët nuk votuan as për Jean-Claude Juncker në vitin 2014 dhe as në maj për holandezin, Frans Timmermans. Dhe jo-gjermanët nuk votuan as për Martin Schulzin para 5 vjetësh apo Manfred Ëeber këtë vit. Çfarë parimi tradhtohet këtu dhe çfarë votuesish? Por edhe kur socialdemokratët nga vende të tjera janë të shqetësuar dhe pyesin kolegët e tyre gjermanë, pse ata mbeten tek “Jo”-ja e tyre, pasi kjo paketë personeli është e pranueshme – SPD gjermane mbetet kokëfortë. Të qenit kokëshkëmb nuk është më kot virtyt gjerman. Të mërkurën ata i paraqitën kolegëve të tyre europarlamentarë një listë të dobësive dhe problemeve që ka Ursula von der Leyen: Duke filluar nga dyshimi për plagjiaturë i disertacionit të saj deri tek skandalet në Ministrinë e Mbrojtjes e Bundesëehri, raporton “DW”./Elisjeda Kiko