Ka përfunduar por pa qëllimin final takimi i ambasadorëve të SHBA, BE, OSBE dhe Mbretërisë së Bashkuar me anëtarët e Këshillit Politik për arritjen e konsensusit për reformën zgjedhore.
Brenda mbledhjes burimet konfirmojnë se palët nuk kanë arritur në një marrëveshje, ndërsa nesër pritet të mbahet një takim tjetër për këtë çështje.
Pas përfundimit të takimit pritet një deklaratë për mediat nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Palët politike pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të diplomatëve të huaj vijojnë të mbartin qëndrime të ndryshme në tryezën e reformës zgjedhore.
Ditën e djeshme përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan takim për ditën e sotme për të biseduar mbi pikat që kanë krijuar ndasi mes aktorëve, por deri tani mazhoranca nuk ka kthyer përgjigje.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një komunikimi sot me gazetarët tha se nuk është e hijshme për Shqipërinë e 2020 teksa sheh ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër zyra partish për çështje të brendshme.