Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta për herë të parë do të përballen këtë të enjte në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i shtetit në mungesë të Kushtetueses refuzoi dekretimin e ministrave të qeverisë në vitin 2019 dhe shtyu zgjedhjet vendore, por vetëm tani do të shihet nëse ka pasur apo jo të drejtë.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se seanca për përballjen mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta do të mbahet ditën e enjte në datën 25 mars dhe ka si objekt: “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Pra beteja ka të bëjë me refuzimin që Ilir Meta i bëri Gent Cakajt për ta emëruar si ministër të Jashtëm në vitin 2019. Neni 98 pika 1 thotë: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Presidenti e interpretoi këtë dispozitë duke deklaruar se i jep të drejtë që të refuzojë emrat që i dërgon kryeministri, ndërsa Rama mendon të kundërtën. Kushtetuesja do të mblidhet të enjten në orën 10:00 ku do të vendosë se kush ka të drejtë.
Përplasja
Në kohën kur presidenti refuzoi dekretimin e ministrit me një letër drejtuar Ramës u shpreh se emri i propozuar për ministër nuk ka përvojën e duhur politike dhe diplomatike. Gent Cakaj në këndvështrimin e Ilir Metës nuk është i përshtatshëm për të qenë në krye të Ministrisë së Jashtme. “Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”, tha ai.
Ndërkohë, pas mosdekretimit të Cakajt nga presidenti pati edhe një reagim nga Rama. Ai e quajti vendimin si antikushtetues dhe të turpshëm, ndërsa i kërkoi ndjesë edhe Kosovës. Ndër të tjera, Rama theksoi se argumentet e dhëna nga presidenti sipas tij janë të frikshme. “Refuzimi i presidentit për dekretimin e ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpërues për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, tha Rama.
Përballja për zgjedhjet e 30 qershorit
Ndërkohë, një tjetër betejë ku do të përplasen sërish Rama dhe presidenti Meta është edhe ajo sa i përket vlefshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit të vitit 2019. Por, për këtë çështje Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur një datë se kur do të shqyrtohet. Padia në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje u bë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, ku përfshihen edhe bashkitë e drejtuara nga opozita, e cila dorëzoi kohë më parë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për konstatimin si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.
Në kërkesën e saj, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kërkon që të verifikohet vlefshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila sipas kërkesës bie në kundërshtim me dekretin e nxjerrë nga presidenti Meta. Në kërkesë thuhet se presidenti ka dekretuar si datë 13 tetorin për zgjedhjet vendore dhe 30 qershorin datë në të cilën u mbajtën zgjedhjet.
“Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë së procesit zgjedhor të zhvilluar me 30 qershor 2019 për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiake dhe, si rrjedhojë, konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve në kundërshtimin me nenet e Kushtetutës së Shqipërisë”, thuhet në kërkesë.