Vakancat që kanë mbetur në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion shumë shpejt do të plotësohen, duke futur kështu në shina reformën në drejtësi. Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen plenare të radhës në prani të 9 anëtarëve, përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare EURALIUS, OPDAT dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas rendit të ditës, Këshilli vendosi miratimin e projekt-akteve të vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorët Alket Mersini, Ledina Riza, Arben Allajbeu, Arben Dyla, Ardian Braho, Bujar Memia, Dritan Marku, Saimir Smaka, Genci Qana. Një kopje e këtyre raporteve do iu dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Këshilli ka marrë në shqyrtim projekt-vendimin “Për miratimin e komenteve dhe sugjerimeve ndaj raportit të Shkollës së Magjistraturës me rezultatet e vlerësimit paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar në vitin akademik 2020-2021, profili prokuror”, përmes të cilit ka kërkuar rivlerësimin e përvojës profesionale të kandidatit, bazuar mbi kriterin e përcaktuar në ligjin e Rregullores së Shkollës së Magjistraturës.
Projekt-vendimi u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Këshillit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjithashtu gjatë ditës së djeshme vendosi edhe miratimin e projekt-vendimit “Për bashkimin e procedurave administrative” të filluara mbi bazën e vendimeve nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020 të Këshillit. Vlerësimi përfundimtar dhe renditja e katër kandidatëve të kualifikuar për prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të shpallura me vendimet nr. 19, datë 27.01.2020 dhe nr.92 datë 10.04.2020, do të jetë i vlefshëm për plotësimin e të tre vendeve vakante në këtë Prokurori. Në përfundim, Këshilli vendosi edhe miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit për prokurorin Kreshnik Ajazi, aktualisht drejtues i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.