Ashtu siç ishte paralajmëruar, pas publikimit të skandalit të presidentit Ilir Meta me dhënien e nënshtetësive personave të inkriminuar, Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë ka thirrur dje në një seancë dëgjimore gazetarin e “Shqiptarja.com”, Adriatik Doçi.
Ky i fundit ka faktuar një tjetër rast të dhënies së nënshtetësisë të një personi me precedent të theksuar kriminal. Sipas hetimit të gazetarit, bëhet fjalë për një qytetar nga Kosova, i cili është dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 persona, mes tyre 3 fëmijë.
Por kjo deklaratë ka bërë që anëtarët e komisionit t’i drejtojnë një sërë pyetjesh gazetarit. Ka qenë kryetarja e komision, Ermonela Felaj, e cila teksa kërkoi sqarime se nga i ka gjetur këto të dhëna, i dërgoi një mesazh presidentit Ilir Meta, duke i kujtuar se Presidenca nuk mund të përdoret në mënyrë të papërgjegjshëm për qoka personale.
“Nga i keni marrë indiciet dhe i keni gjetur këto fakte? Ndërkohë ju lutem na jepni një kopje të dokumentacionit. Ne do të bëjmë verifikimet tona. Por Presidenca nuk mund të përdoret për qoka personale”, deklaroi ajo. Por i menjëhershëm ishte ndërhyrja e deputeti të opozitës parlamentare, Lefter Maliqi, i cili deklaroi se nuk ishte e nevojshme që Komisioni i Sigurisë të thërriste gazetarin Doçi.
Por nga ana e saj, zonja Ermonela Felaj theksoi se Parlamenti ka thirrur edhe më herët në seancë dëgjimore gazetarë si Telis Skuqi apo Blendi Kasmi. Ndërkohë, në vijim të fjalës së tij, gazetari Adriatik Doçi u shpreh para Komisionit të Sigurisë se shumica e qytetarëve që kanë përfituar nënshtetësitë nga presidenti Ilir Meta, janë pa kontribut të veçantë.
“Nga verifikimet e bëra, 90 për qind të personave që kanë marrë nënshtetësi të veçanta, nuk kanë asnjë kontribut dhe nuk shquhen në ndonjë fushë të caktuar. Në mes të 419 personave që kanë marrë nënshtetësi në emër të interesit kombëtar, është dhe një i dënuar me 30 vite burg për vrasjen e një familje me 5 anëtarë.
Ai është Arsim Fadil Ramadani i lindur në Kosovë. Nga verifikimet rezulton se gjeneralitetet e këtij personi në certifikatën që unë kam gjetur dhe që ka nënshtetësi shqiptare përputhen me atë që ka në dosjen e Presidencës.
Ai u dënua me 30 vite dhe është falur nga Presidenti Hashim Thaçi. Ai bën pjesë në listën e 419 personave që kanë marrë nënshtetësi nga Meta si VIP, Arsim Ramadani është dënuar në të 3 shkallët e gjyqësorit. Ka vuajtur 15 vite burg dhe në 2017 është falur me dekret presidencial”, deklaroi Doçi.