Një prej atyre që është shprehur vazhdimisht kundër idesë së kthimit në fushën e lojës për të mbyllur sezonin është presidenti i Breshias, Masimo Çelino. Ky i fundit, ka qenë shpesh kundër kthimit në fushë e tani që ka një debat të ndezur mes futbollit dhe politikës, ai shprehet se Italia ka humbur dinjitetin e saj.
“Nuk më intereson më nëse kthehemi për të luajtur apo jo, të bëjnë atë që duan. Dhe boll keqpërdorën deklaratat e mia. Presim vendimet e Merkel? Është e turpshme. Kemi një president Lige, një të Federatës, një të Komitetit Olimpik dhe një Ministër Sporti por presim të tjerët? Mua nuk më plas fare për Merkel apo UEFA-n, Italia duhet të vendosë në autonomi, jemi pa dinjitet.
Le të vendosin me shpejtësi pasi unë nuk e pranoj më këtë shtyrje të vazhdueshme. Mjaftonte të uleshin në tavolinë dhe të ndanin gjithçka në pjesë të barabarta dhe të mendonin për rifillimin e sigurt, por askush nuk ka hequr dorë, pasi ky futboll i mbushur me borxhe, ka shpenzuar para që nuk ka arkëtuar ende”, ishte shpërthimi i Çelinos i cili më pas thumboi përsëri Juventusin.
“Ky nuk është më futbolli im, ky është një futboll pa të ardhme. Dhe të bësh presidentin në Itali është bërë e pamundur, unë nuk mund të pranoj më të jem ende si në kohën e GEA-s, është njëlloj si të ulesh në tavolinë të luash me letra me kundërshtarin tënd që fsheh në mëngë letrat dhe përdor para false”, ishin fjalët e tij.