Në konferencën “Administrimi, menaxhimi dhe përdorimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara: Praktika të mira dhe aspekte të bashkëpunimit ndërkombëtar”, Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho u shpreh se është forcuar më tej kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë i cili sipas tij nuk konsiston vetëm në ekstradimin e subjekteve, por tashmë është një bashkëpunim aktiv në investigime midis dy palëve.
“Shqipëria është treguar e gatshme dhe efektive në arrestimin e subjekteve të cilët kërkohen nga shteti italian, gatishmëri të cilën e ka treguar gjithashtu dhe Italia. Falënderoj ministren Gjonaj për angazhimin e saj në implementin e një instrumenti të ri për luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e pasurive të konfiskuara të prodhuara nga aktiviteti kriminal. E mbështes dhe ndjej afërsi me Ministren e Drejtësisë si pasojë e angazhimit të saj pikërisht në luftën kundër këtij fenomeni, korrupsionit në instanca të larta”, u shpreh De Raho.