Ligji 2015 për kompensimin e pronave merr sërish sinjal pozitiv dhe lirohet nga të gjitha paditë. Ditën e djeshme, Gjykata e Strasburgut shpalli një vendim historik në lidhje me trajtimin dhe kompensimin e pronave në Shqipëri. Pas shqyrtimeve të padive të dërguara për këtë çështje, Gjykata e Strasburgut vendosi t’i hedhë poshtë këto të fundit dhe për herë të parë në historinë e demokracisë vlerësoi si pozitiv dhe mjaft efektiv ligjin 2015 për dëmshpërblim të ish-pronarëve në vend.
Kështu që me vendimin e fundit, duke vlerësuar se skema aktuale e kompensimit të ish-pronarëve në vendin tonë është një skemë efikase në trajtimin e këtij problemi akut, Strasburgu rrëzoi padinë e njohur si Beshiri K. dhe 11 të tjerë kundër Shqipërisë. Kjo pasi Shqipëria ka arritur t’i përmbushë kërkesat e parashtruara nga Gjykata e Strasburgut në këtë ligji drejtuar nga rastit pilot “Manushaqe Puto”, për marrjen e një grupi masash me qëllim kryesor identifikimin e një mjeti të brendshëm dhe efektiv, i cili mundëson një kompensim të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm mbas një periudhe 23-vjeçare moszbatimi të zgjatur të vendimeve për kompensim. “Në vendimin e çështjes në fjalë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, i ka deklaruar kërkesat të papranueshme sepse skema e cila ka hyrë në fuqi me anë të Ligjit për Trajtimin e Pronës të vitit 2005 është një skemë e përshtatshme për zgjidhjen e brendshme të këtyre ankesave ligji në fjalë u aprovua si një përgjigje ndaj vendimit pilot të Strasburgut, në çështjen “Manushaqe Puto” e të tjerë kundër.
Në çështjen e Putos vendimi kishte konstatuar shkelje të drejtës për një proces të rregullt, mbrojtja e pronës dhe e drejta për zgjidhje efektive dhe kishte bërë rekomandime të përgjithshme mbi hapat që duhet të merreshin në lidhje me problemin në fjalë. Gjykata arriti në përfundimin se skema e ofruar me Ligjin për Trajtimin e Pronës ishte një mjet ligjor efektiv i cili duhej shteruar nga kërkuesit”, vlerëson gjykata. Kështu të gjitha kërkesat e paditësve u deklaruan të papranueshme për mosshterim të mjeteve të brendshme, ose si të parakohshme. Duke shtuar faktin se përmirësimet e bëra nga shteti shqiptar për këtë çështje, me vendimin e fundit që duhet të jetë jo më pak se 10% e vlerës së pronës që ish-pronarët do të përfitonin, Strasburgu vlerëson se në praktikë, Shqipëria ka një kuadër të përshtatshëm ligjor, si dhe aftësi të përshtatshme kompensuese.
Ligji i 2015-ës
Kalvari ligjor për Ligjin e vitit 2015, i nisur nga pala paditëse që në vitin 2006, me vendimin nr. 29026/06 kërkonte që Strasburgu të përcaktonte një vlerë kompensimi monetar, mbi pretendimin e mosekzekutimit të tejzgjatura të vendimeve përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kompensimit për pronat e shpronësuara gjatë periudhës komuniste. Por nga përditësimet e bëra edhe në bazë të rekomandimeve nga Strasburgu ky ligj ka arritur që procesi i kompensimit të jetë në normë të vlershme për ish-pronarët.
Saktësisht ligji synon kompensim apo kthim të pronës tek ish-pronari i pronave nga viti 1993. Ndërkaq në vitin 2006, në përgjigje të rekomandimeve edhe nga Strasburgu, si institucion përgjegjës, Agjencia e Trajtimit të Pronave sqaroi se, qëllimi i këtij ligji është kthimi i tokave te pronari, në pamundësi të kësaj do të vlerësohen me normën jo më të ulët se 10%. “Objektivet e ligjit janë si më poshtë për në vitet në vijim; është krijuar një fond i qëndrueshëm dhe i paprekshëm për kompensimin; Kompensimi fizik do të ketë përparësi kundrejt çdo forme kompensimi tjetër; qeveria ka planifikuar një fond lekësh në dispozicion, i cili është planifikuar të shpërndahet në 10 vjet proces”, sqaron ATP. Nga ana tjetër ky ligj parashikon kompensimin, pavarësisht zërit kadastral, të rreth 74 mijë ha tokë në kuadrin e 10 viteve të ardhshëm.
Ndërsa, kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere; për kompensim brenda 3 vitesh, atëherë ai përfiton 30 për qind të vlerës së kompensimit dhe për kompensim brenda 5 vitesh, atëherë ai përfiton 40 për qind të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere./Sot/ESMERALDA HIDA