Juristi Romeo Kara, në një intervistë për gazetën ka folur për aktualitetin politik. Ai ka dalë pro protestave të zhvilluara ditët e fundit në Tiranë, ndërsa ka treguar dhe një episod se si rreshtimi krah protestave i ka kushtuar shtrenjtë.
Për shkak të denoncimeve dhe padive ndaj dyshes Meta-Berisha, Kara këto kohë ka qenë në mbrojtje nga policia sepse i rrezikohej jeta. Por ditën që ka dalë krah protestave atij i është hequr mbrojtja. Ndërkohë Kara ka folur dhe për një ministër të PD të zhytur në afera, ndërsa ka komentuar dhe hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Llalla.
-Zoti Kara, vendi prej disa ditësh u trazua nga vrasja e një të riu nga policia. Si e sheh vrasjen nga ana e policit, qoftë dhe nga ana juridike pasi prokuroria së fundmi e akuzon për vrasje me dashje.
Duke analizuar ngjarjen, nga të dhënat që tashmë kanë dalë në publik, unë e konsideroj realisht si vrasje dhe duke e rrëzuar klasifikimin fillestar të mbrojtjes së nevojshme. Goditja me armë është bërë direkt asgjësuese, pa qenë polici në kushtet e rrezikimit të jetës së tij, pa respektuar fazën e paralajmëruese dhe atë të goditjes në pjesët jo jetësore.
Goditjen direkt në gjoks dhe kokë, ne dhe jurisprudenca botërore e quajmë asgjësuese. Pra, rikualifikimi i veprës penale nga prokuroria si vrasje jo në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, është shumë i saktë. Tashmë ngelet për t’u bërë një hetim i plotë, i cili do të nxjerrë shkaqet, motivin dhe realizimin e këtij krimi. Vrasja e një të riu nga ana e policisë, padyshim që është një veprim përtej skandalozes.
Policia edhe kur vret, mbron jetë, pronë dhe rend. Kjo vrasje nuk u bë për asnjë nga arsyet e mësipërme, por përkundrazi mori jetë, shkaktoi shkatërrime pronash dhe rrënim të rendit dhe sigurisë juridike. Futja e një fryme ushtarake në polici është evidente dhe e papranueshme. Realisht ka pasur një rritje të arrogancës së policisë dhe një presion të vazhdueshëm për të rritur abuzivisht kompetencat e saj. Kontrollet rutinë shoqëruar shpeshherë me arrogancë të pajustifikuar, të bëra jo në kushtet e flagrancës dhe pikat kufitare, u kthyen në një stres për një pjesë të madhe të rinisë.
Këto kontrolle mbi të gjitha janë në kundërshtim total me të drejtat universale të njeriut, të cilat ne i kemi pranuar me një sërë ratifikimesh, por që po i zhvlerësojmë me ligje dhe urdhëra. Kjo vrasje ishte realisht e tepërt dhe e derdhi kupën. Politika ka kohë që iu ka vrarë shpresën të rinjve, ndërsa papritur del dhe një polic që padrejtësisht merr një jetë njeriu. Ai polic nuk duhet të hetohet i veçuar. Kush ka qenë me të në shërbim duhet të hetohet gjithashtu për moskryerjen e detyrës së tij.
Polici tjetër ka pasur për detyrë ta neutralizonte shokun e tij ndërsa ai ishte në shkelje të ligjit. Ka kohë që edhe motivimi i vetë policisë ka rënë në nivelin më të ulët. Shumica e policëve kryejnë punë të dyta e të treta, sepse rrogat e tyre janë qesharake. Ata e kanë të pamundur që të mos përcjellin në shërbim stresin e krijuar nga problemi ekonomik. Prej vitesh, paga e tyre qesharake, nuk ka pësuar asnjë rritje. Shumë prej tyre edhe i janë vetofruar t’i shërbejnë krimit, pasi janë krejtësisht të pamotivuar në shërbim.
-Për 6-7 ditë pati protesta në kryeqytet. Disa i cilësuan si një sinjal pozitiv se dhe shqiptarët ngrihen kur duan. Disa të tjerë dënuan aktet e dhunës. Ju si i patë?
Protesta ishte dhe është një domosdoshmëri. Realisht kam pasur dhe kam protestë brenda shpirtit tim. Protestë është sot një kërkesë e kohës tani dhe e së ardhmes. Protesta është mjeti më i mirë për t’u ndarë nga një epokë 30-vjeçare rrënimi, zhgënjimi, vjedhjeje, grabitjeje dhe politike të gjithanshme krimi. Kur kontrata sociale shkelet kështu sicc e kanë shkelur pareshtur pushtetarët tanë, atëherë popullit i lind e drejta dhe i del për detyrë ngritja në protestë shoqëruar me një mosbindje totale civile. Sistemi politik shqiptar vetëm shqiptar nuk mund të quhet sot dhe ai tashmë është kthyer në hallin e shqiptarëve.
Ky sistem politik nuk funksionon, është pengmarrës dhe ushqen padrejtësinë. Protesta ishte protestë kundër të gjitha padrejtësive shtetërore dhe në këtë kuptim ajo i dha një sinjal të qartë politikës dhe popullit. Nuk mund të çohesh kundra padrejtësisë duke bërë padrejtësi, sepse pikërisht rrënon moralin mbi të cilin je çuar. Djegia dhe shkatërrimi i bizneseve të disa privatëve të pafajshëm, është jo vetëm e padrejtë, por edhe shkatërruese për vetë mbarëvajtjen e protestës.
Të çohesh për të protestuar për vrasjen e pafajshme të një të riu, është vlerë sepse vetë Zoti e ka thënë: kush vret një të pafajshëm ka vrarë të gjithë njerëzimin. Prandaj ne duhet patjetër të solidarizohemi në raste të tilla pasi jemi vrarë realisht edhe ne. Por, kush i bën dikujt padrejtësi, ia ka bërë atë të gjithë njerëzimit, kështu që unë dhe shumë si unë këshilloj që të shmanget dëmtimi i pronës së qytetarëve të pafajshëm të cilët mund të jenë vetë pjesë e protestës.
Politika e zullumqarëve dhe pronat e tyre të ngritura mbi zullum, padyshim që e meritojnë një skanim deri në detaj nga protesta popullore. Protesta nuk duhet të shuhet. Kjo është shumë e rëndësishme.
-Si e shpjegoni që Meta e Berisha janë në një linjë? Ish-kryeministri ka disa ditë që kërkon revolta dhe rrëzim të qeverisë me dhunë. Ndërsa presidenti dje dha sinjale se mund të organizojë dhe ai protesta. A i shkon njeri pas Metës?
Përgjithësisht e gjithë politika e vjetër është në një linjë. Në shumë aspekte të prapaskenës, ajo është e gjitha e unifikuar. Unë do t’ju ofroj një rast shumë sinjifikativ që për ju mund të përbëjë realisht lajm. Po të interesoheni se cilët janë aksionerët e vërtetë të DH Albania një kompani offshore e regjistruar në Delaware të USA, ju do skandalizoheni. Kjo kompani, që u përfol për tenderin e Unazës së Re, ka për aksioner një politikan të së djathtës të cilin unë e kam kallëzuar një herë në prokurori për privatizimin e CEZ-it. Ky person i opozitës ka vepruar në ortakëri të plotë me pushtetarët e pozitës dhe kjo gjë shpjegon qartë se përse PD kurrë nuk e trajtoi çështjen tek Unaza e Re si çështje korrupsioni.
Besoj se shkresa e dhomës së noterëve të shtetit të Delaware, ku zbulohet qartë emri i aksionerëve të kësaj kompanie, ndodhet edhe në Ambasadën e USA në Tiranë. Po, ka një unifikim pothuaj të veprimeve Meta-Berisha dhe kjo shpjegohet thjeshtë dhe qartë se, ata kanë pothuaj të njëjtat interesa dhe të njëjtat halle. Mesazhi i Metës është i qartë prej kohësh tashmë ndaj Ramës: nëse nuk bën pakt me mua, nëse tenton të më cenosh mua dhe interesat e mia, atëherë unë do ta zhvendos lojën nga tavolina e pazarit politik ku është tani, në rrugë, në protesta dhe në dorën e popullit, gjë që mund të sjellë humbjen e të dyve atyre.
Pra, o të vazhdojnë pazarin politik, o të humbin të gjithë. Ky është mesazhi i Metës. A i shkon njeri pas Metës? Padyshim që po. Jo aq sa thotë Meta, por mjaftueshëm për të cënuar pazarin politik. Të mos harrojmë se Meta ka pas edhe ndjekësit e Berishës, përsa kohë që vazhdon dashuria mes atyre të dyve.
-Si i shihni zgjedhjet e 25 prillit? Futja në lojë e presidentit mendoni se do i trazojë ujërat?
Nëse nuk do të realizohen kërkesat e Metës, padyshim që ai do t’i trazojë ujërat e kësaj politike, të cilën ai e njeh mjaft mirë dhe ku ai noton mjaft mirë. Megjithatë, e rëndësishme është që populli ta kuptojë se me këtë Kod Zgjedhor, zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhje. Vendimmarrja duhet t’i kalojë popullit dhe unë vetëm tek ky akt shoh zgjidhjen e problemeve tona dhe daljen nga pengmarrja e politikës.
-Në PD ka një debat sa i takon kandidatit të Berishës në zgjedhje. Genc Ruli i ka dërguar disa mesazhe ku shprehet se ka ardhur koha që ai të pensionohet. Ju si e shihni situatën? Mendoni se ka ardhur koha që Basha të distancohet nga Berisha dhe ky i fundit të dalë nga Parlamenti?
Mos shpresoni dhe mos ëndërroni kurrë që Basha do distancohet nga Berisha. Ai nuk ka as kapacitet, as forcë dhe as kurajo që ta bëjë një gjë të tillë. Ai ka dhënë prova dhe garanci që di të luajë rolin që i ka caktuar Berisha. Në thirrjen e parë që Berisha do të bëjë kundër tij, Basha do përfundojë në Lanë brenda disa minutash nga ata njerëz që rrinë pas tij me porosi të Berishës. PD-ja është e Berishës dhe Basha është thjesht një administrator i përkohshëm i saj me kompetenca të kufizuara.
Basha mund të iki, por Berisha nuk bëhet fjalë që të largohet nga PD. Lidhur me Genc Rulin, është e kotë që ta marrim seriozisht, se Berisha as që i llogarit mesazhet e tij. Ka ikur koha kur Ruli bënte kritikun ndaj Berishës. Kur shet shpirtin, të mbyllet goja.
-Si e shihni dërgimin për gjykim të Adriatik Llallës? A është një sinjal se gjërat për të ndëshkuar të paprekshmit do lëvizin dhe a ishte ish-Kryeprokurori i kapur nga politika?
Politika tentoi ta dërgojë Llallën si ambasador diku, por ishte këmbëngulja amerikane ajo që po e dërgon Llallën përpara drejtësisë. Ata nuk ia falin Llallës arrogancën ndaj ambasadorit Lu. Amerika e njeh mjaft mirë politikën e forcës dhe përballë saj drejtësia jonë po detyrohet të bëjë drejtësi ndaj Llallës. Ka shumë mundësi që në vazhdim të kësaj drejtësie të kemi edhe Metën përpara drejtësisë si padron i Llallës. Mendoj se pritej ky fund i Llallës.
-Juve kohët e fundit ju kanë hequr mbrojtjen nga policia. Pse ky vendim dhe a ndjeheni i rrezikuar?
Ditën që ndodhi vrasja e të riut Klodian Rasha, unë kërkova publikisht dorëheqjen apo shkarkimin e ministrit të Rendit si shenjë e marrjes së përgjegjësisë në planin vertikal të politikës së rendit. Kam pasur dhe kam bindjen absolute se, emërimi i një ushtaraku në krye të Ministrisë së Rendit ka qenë i panevojshëm për të mos thënë i gabuar.
Policia vepron brenda komunitetit dhe është organ ligjzbatues, krejt ndryshe nga ushtria, e cila ngulit me edukimin e saj kryesisht asgjësimin e armikut. Kurrkund në Europë nuk gjen emërime gjeneralësh në krye të ministrive të rendit dhe të mbrojtjes. Pa u mbushur 24 orë nga deklarata ime edhe pse policia do të duhej të merrej me situatën e dalë krejtësisht jashtë kontrollit në Tiranë e gjetkë, unë marr me një telefonatë njoftimin se, mbrojtja ndaj meje prej Policisë së Shtetit ndërpritet.
Kjo mbrojtje që mu mohua në kundërshtim me çdo ligj nga prokuroria, tashmë mu hoq edhe nga policia. Ligji e parashikon qartë ruajtjen time dhe të familjes sime dhe unë i plotësoj të gjitha kriteret ligjore, në më shumë se një rast, për t’u marrë nën mbrojtje ligjërisht. I gjithë kontributi im u hodh poshtë dhe duke më hequr mbrojtjen, pa më dhënë asnjë shpjegim, iu dha mesazhi atyre me të cilët unë jam marrë ligjërisht se, Romeo është vetëm, pa mbrojtjen e shtetit, pa përkrahjen tonë.
Ky mesazh ka kohë që është dhënë, por tashmë u dha i vulosur në formë dënimi, për arsyen se unë them atë që mendoj dhe bëj atë që them. Duke punuar me përkushtimin më të madh dhe me besim të plotë ndaj Zotit, për të mbrojtur interesa madhore të vendit tim, unë besoj se kam qenë mbase i vetmi rast këtu dhe jashtë që kam zhvilluar për vite të tëra një betejë maratonë për drejtësi, pa qenë pjesë e strukturave të drejtësisë. Kam besuar se kjo shprehje e vullnetit tim, do përqafohej nga të tjerë aspirues për drejtësi.
Heqja e mbrojtjes nga qeveria ndaj meje, midis të tjerave i shërben frenimit të shembullit tim. Ata dhe askush nuk ka fuqinë të më bëjë shantazh qoftë edhe sikur ta paguaj me jetë atë çfarë po bëj. Ia kam thënë personalisht edhe kryetarit të qeverisë se, unë nuk tërhiqem asnjë cm pas. Kjo është kostoja kur i shpëton vendit tënd rreth 180 milionë euro nëpër arbitrazhe, kur i arkëton 5.5 milionë euro të tjera, kur fiton me gjyq 9.5 milionë të tjera, kur përballesh personalisht nëpër gjyqe me nivelin më të lartë të pushtetit etj.
Çdo gjë e kam bërë me vetëdije të plotë, me dëshirën e mirë për të shmangur falimentimin e sistemit energjetik dhe për t’u përballur me ata me të cilët nuk po përballej askush. Vendimi për heqjen e mbrojtjes sime nga policia është tërësisht politik dhe si të tillë unë e neveris dhe e pështyj. Është një veprim pabesie dhe paburrërie, që vetëm më motivon në vazhdimin e rrugës sime. Ky veprim i shërben më së miri pazarit politik.
Intervistoi: Kliti Topalli