Partia Socialiste dhe opozita parlamentare kanë arritur marrëveshjen për të votuar në Parlament të dy draftet e reformës zgjedhore. Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla zhvilluan një takim me 3 kryetarët e grupeve parlamentare Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Nimet Musai në Kryesinë e Kuvendit.
Gazeta ka siguruar marrëveshjen , ku bëhet me dije se deputetët e opozitës në Parlament do të votojnë në datën 23 korrik marrëveshjen që u arrit në datën 5 qershor nga opozita jashtëparlamentare dhe mazhoranca me ndërmjetësim të ambasadores amerikane Yuri Kim.
“Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndërmjet Partisë Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari”, thuhet në marrëveshje.
Por duket se socialistët do t’i shkojnë deri në fund kërkesës së opozitës në Parlament për ndryshimet kushtetuese, ku synojnë heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe listat e hapura, ndryshime këto të cilat do të votohen me datën 30 korrik në seancën e fundit parlamentare.
“Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 30 Korrik 2020, Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1988 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, miratuar me votat unanime të anëtarëve të Këshilli të Legjislacionit dhe Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit në mbledhjen e Përbashkët datë 14 Korrik 2020”, thuhet në marrëveshje.
Rama apel Bashës
Por pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, kryeministri Edi Rama i ka bërë apel kreut demokrat Lulzim Basha që të ulet në tryezë. Gjatë një prononcimi për media, Rama deklaroi se ka mbetur i kënaqur nga marrëveshja e arritur, duke kërkuar që Këshilli Politik do mblidhet sot për të vijuar me diskutimet, ku kërkoi që kreu demokrat të mos bëjë gabimet e së shkuarës, por të ulet në tryezën e bisedimeve. Sipas kryeministrit, tashmë opozita jashtë Parlamentit e ka një datë për votimin e marrëveshjes.
“Jam i kënaqur me marrëveshjen, pasi kemi arritur një konsensus të gjerë edhe pse jo total për 5 qershorin dhe një konsensus të plotë për hapjen e listave, por edhe për të vazhduar procesin gjithë përfshirës së bashku me opozitën jashtëparlamentare. Një orë e më parë do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik dhe të diskutojmë sepse kemi hapur një diskutim dje dhe tani jemi në kushtet kur duhet të diskutojmë konkretisht.
Nga një anë opozita jashtë Parlamentit kërkonte të dinte datën e saktë. Kemi bërë goxha debat për pikën 1, sidomos me Murrizin, ndërsa kemi pasur sinjale inkurajuese nga dy kryetarët e grupeve të tjera dhe besoj se edhe se do të ishte mirë që Murrizi të bashkohej në konsensus të plotë, kam bindjen që do ta kojmë 5 qershorin. Problemi është se opozita nuk ka një formacion të unifikuar. Nesër do të jemi në këshillin politik. Marrëveshja e sotme dhe e 5 qershorit janë dokumente që duhet të kthehen në materie ligjore”, tha Rama./Sot