Guljelm Radoja nga sheshi i Teatrit Kombëtar, iu drejtua të gjithë artistëve që lanë në mes kauzën dhe tani po heshtin. Në fjalën e tij ai iu drejtua personalisht Robert Ndrenikës duke i thënë “pse u shite miku im, ku humbi dinjiteti”. Por aktorin Robert Ndrenika, ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore.
Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet.
Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika. Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:
Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë me se jam shitur?!
E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.