Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Ilir Metës për çështjen e Teatrit Kombëtar. “Kjo punë që nuk më lë të përgjigjem, për një pyetje çarçaf…e harroj presidentin me kënaqësinë më të madhe, se nuk dua të bëj polemika me presidentin, por presidenti nuk është as drejtori i Urbanistikës, as kryebashkiak, as kryeministër. S’ka asnjë tagër të vendosi për kompetenca ekskluzive të të gjitha këtyre instancave.
Ka të drejtën e vet të mendojë ndryshe, të bëjë ato që sheh të arsyeshme brenda kornizës së vet të veprimit por, jo presidenti, por asnjë tjetër që s’ka mandat e kontratë me popullin shqiptar për të bërë detyrat që i takojnë një qeverie e një pushteti vendor, s’ka shans ta ndalojë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv“, tha Rama në një intervistë me emisionin Opinion.
Rama u përgjigj edhe për deklaratën e kreut të PD-së, Basha, sipas të cilit, Teatri është vija e kuqe.
“Unë besoj që kjo është një temë e ezauruar. Për mua personalisht është një temë, e cila ka shumë vite.
Qëndrimi im është prej 20 vjetësh dhe nuk besoj të ketë pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi.
Ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik në temë politike është vetëm një shterpësi. Unë nuk kam qenë asnjëherë prej 20 vjetësh me një bindje.
Nuk ka asnjë patate të nxehtë, por ka vetëm një proces që zhvillohet. Bashkia e Tiranës do të ekzekutojë gjithë projektin. Ne nuk e kemi thënë merreni prisheni, por merreni dhe ndërto.
Vija e zjarrit sot në Shqipëri, është në spital dhe lufta sot në Shqipëri është lufta për të mbrojtur shëndetin dhe për të garantuar edhe këtë fazë të tillë. Një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz është papërgjegjshmëri“, tha Rama.