Partia Socialiste është duke zgjedhur sot delegatët e Kongresit në një proces votimi që ka nisur që në orën 08:00 dhe nuk ka mbaruar ende. Votimi po bëhet sipas parimit një anëtar një votë.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat, kreu i kësaj partie njëkohësisht edhe kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se ka votuar në mënyrë elektronike për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit për të cilat po votojnë sot të gjithë anëtarët socialistë.
“Kemi përgatitur një proces të tërë para zgjedhjeve që kaluan për të qenë të gatshëm që t’i përgjigjemi me pozitivitet një kërkese të shumë kërkuar por të harruar siç u harrua dhe himni kombëtar, votimi elektronik. Mbetet për t’u parë në të ardhmen, është absolutisht një votim i mundshëm, nuk është online por offline dhe i padepërtueshëm nga forca të errëta”, tha Rama për mediat.