Kurba e të infektuarve ka shënuar rekord rastesh të reja ditën e djeshme. Në raportimin e përditshëm dje Ministria e Shëndetësisë tregoi se në 24 orët e fundit janë kryer 362 testime, nga të cilat 90 pacientë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.
MSH tregon se situata në spital është e rënduar për shkak të numrit të lartë të të shtruarve, pasi 8 prej pacientëve po marrin trajtim intensiv. Sakaq bëhet me dije se pjesa më e madhe e të infektuarve janë nga kryeqyteti, plot 35 raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive. Situata në Spitalin Infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar.
Gjithashtu njoftohet se po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga Covid-19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën. Që prej gati dy javësh po vjen në rritje dhe numri të vdekurve nga Covid-19 në vend. Dje MSH raportoi 3 humbje jete të moshës 57, 65 dhe 47 vjeç.
“Fatkeqësisht 3 qytetarë kanë humbur betejën me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në Spitalin Infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor”, deklaroi MSH. Sakaq shifrat e larta të të infektuarve kanë bërë që BE të lërë vendin tonë jashtë listës së vendeve që hapen kufijtë. Por sipas mjekut të njohur, Ilir Alimehmeti, nuk është kurba në rritje shkak i mos hapjes së kufijve, por kjo çështje është përdorur për të marrë vendim politik.
“”Politika është arti i kërkimit te problemeve, gjetja e tyre kudo, diagnoza e pasaktë e tyre dhe aplikimi i trajtimeve te gabuara!”Cit. Groucho Marx. Miqtë e mi!Vendimet politike të BE për mbylljen apo hapjen e kufijve në kuadrin e COVID-19 duhet të konsiderohen thjesht si të tilla, pra si vendime politike”, shkruan ai në rrjetet sociale. Për të konfirmuar deklaratën e tij Alimehmeti ka paraqitur të dhënat e të infektuarve për Shqipërinë dhe vendet fqinje, ku tregon se përveç Maqedonisë së Veriut vendi ynë ka koeficiente më të ulët, por prapë mbetet me kufij të mbyllur.
“Le të shohim koeficientin R0 dhe trendin e tij në kohë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi. Shqipëria: R0 = 1.25. Ecuri me ulje ngritje, por me tendencë për të qenë relativisht poshtë shteteve te tjera. Kufij të mbyllur! Maqedonia e Veriut: R0 = 1.12 Ecuri me ulje ngritje, me një dhemb unik më të lartë në fillim të qershorit. Kufij të mbyllur! Serbia: R0 = 1.60 Ecuri me rritje progresive te vazhdueshme që prej majit. Kufij te hapur! Mali i Zi! R0 = 1.86 Ecuri me një rritje “thike” pas hapjes. Kufij të hapur! Pra, t’i lërë përrallat BE-ja dhe të na thotë që thjesht jeni shtete të neglizhueshme politikisht dhe gjejmë si pretekst Covidin për t’ju izoluar”, shkruan ai.